MASHT në rrugë të mbarë të reformave në arsimin e lartë
Prishtinë, 24 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim presidentin e EQAR, Karl Dittrich dhe drejtorin e EQAR, Colin Tuck, me të cilët ka biseduar për punën që po bëhet dhe planet për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Ministri Bytyqi ka falënderuar udhëheqësit e lartë të Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), për kontributin që kanë dhënë që arsimi i lartë të ketë rrugën hapur drejt integrimit evropian.
Ministri theksoi se jemi në rrugë të mbarë të reformave për të krijuar standarde më të larta dhe për të bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. “Në këtë drejtim, përkrahja juaj dhe këshillat tuaja janë shumë të rëndësishme dhe të nevojshme”, tha ai.
Ministri Bytyqi foli për gjendjen në universitetet publike dhe private të Kosovës dhe theksoi të arriturat që janë bërë, por edhe sfidat që hasen në këtë nivel të arsimit.
“Jemi angazhuar në krijimin e infrastrukturës ligjore që AKA të funksionojë tërësisht e pavarur dhe infrastrukturës shtesë ligjore që Agjencia të jetë e pavarur gjatë kontrollit të cilësisë në arsimin e lartë”, tha ministri Bytyqi.
Ndërsa, presidenti i EQAR, Karl Dittrich, tha se i çmon përpjekjet e MAShT dhe të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Presidenti dhe Drejtori i EQAR u shprehën tejet të lumtur me përkushtimin e MAShT në funksion të pavarësimit të AKA-së dhe për krjimin e kushteve për funksionim të pavarur të këtij institucioni. Ata shprehën besimin e tyre se me këtë angazhim AKA shumë shpejt do të jetë pjesë e instancave kryesore të arsimit të lartë në Evropë.
Presidenti Dittrich ftoi MAShT-in që të jetë vëzhgues në asambletë dhe mbledhjet tjera të rëndësishme të EQAR, për të qenë në rrjedha me zhvillimet ndërkombëtare në arsimin e lartë dhe këto ndryshime pozitive t’i aplikojë në Kosovë.