MAShT mirëpret futjen e lëndës së Gjuhës Shqipe në shkollat e Turqisë
Prishtinë, 24 shkurt - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mirëpret vendimin e autoriteteve turke për futjen e lëndës së Gjuhës Shqipe në shkollat turke si lëndë zgjedhore nga viti shkollor 2017/2018, në nivelin e arsimit fillor parauniversitar.
Para pak kohësh, gjatë vizitës zyrtare në Turqi, ministri i Arsimit, z. Arsim Bajrami, e ka biseduar çështjen e futjes së lëndës së Gjuhës Shqipe në shkollat turke, në takim me ministrin e Arsimit Kombëtar të Turqisë.
Andaj, MAShT e vlerëson si shumë të rëndësishëm këtë vendim për komunitetin shqiptar që jeton në Turqi, të cilit i është dhënë mundësia për kultivimin e gjuhës amëtare dhe njëkohësishtë promovon diversitetin etnik dhe të drejtat e komuniteteve.
Ministria e Arsimit zotohet se do të japë ndihën e pakursyer institucionale për shqiptarët që jetojnë në shtetin turk dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, përmes ofrimit të ndihmës në hartimin e Kurrikulës, Planprogrameve dhe trajnimit të mësimdhënësve, në koordinim me institucionet arsimore të Republikës së Turqisë.