MAShT me sukses po zbaton Planin Strategjik
Prishtinë, 28 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë në takimin e Komisionit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike me çrast prezantoi arritjet dhe sfidat e MAShT në hartimin e Planeve Zhvillimore Strategjike.
Me këtë rast ministri Buja u shpreh se MAShT, po angazhohet për një shoqëri të dijes, duke ndërtuar një sistem arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës. Që nga viti 2011, MAShT me sukses po zbaton planin Strategjik (PSAK)-2011-2016 si një plan gjithëpërfshirës tërësektorial, ndërsa me Rishikimin e Përbashkët Vjetor ka nxjerrë në pah se objektivat e PSAK janë realizuar sipas dinamikës së paraparë, ka thënë ministri Buja.
Ministri Buja foli edhe për hartimin dhe miratimin e Kornizës së Kurrikulës së Re të Kosovës, standardet për edukimin parashkollor (mosha 3-5 vjeç), ndërsa theksoi se në shator të këtij viti do të fillojë pilotimi i Kornizës në 10 shkolla të Kosovës (6 fillore dhe 4 shkolla të mesme).
Një pjesë të fjalës, ministri Buja ia kushtoi edhe përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta dhe rritjes së dukshme të përfshirjes në shkolla të fëmijëve të komuniteteve RAE.
Ministri Buja foli edhe për infrastrukturën shkollore, ndërsa vlerësoi se dhënia e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta është treguar efektiv.
Ndërkaq, sa i përket Qendrave të Kompetencës (QK) në Malishevë dhe Skënderaj tha se kanë vazhduar angazhimet në konsolidimin e mëtejmë të dy këtyre Qendrave, ndërkaq po ndërtohen edhe dy (QK) në Ferizaj dhe në Prizren.
Ministri Buja foli edhe për procesin e Decentralizimint Financiar, ku tha se janë zhvilluar ( ndërtuar) kapacitetet menaxhuese në nivel komunal, duke potencuar se decentralizimi ka përfshirë ndërtimin e kapaciteteve menaxhuese edhe në shkolla.
Sa i përket infrastrukturës ligjore, ministri Buja theksoi se janë hartuar, aprovuar dhe ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës statutet e universiteteve të reja publike, ndërsa Ligji për Arsimin dhe Aftësimin e të Rriturve është përpiluar në vitin 2012 dhe është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në janar të vitit 2013.
MAShT me mbështetje të UNDP ka draftuar edhe Strategjinë 2013-2020 për zhvillimin e praktikës profesionale, e cila është bazuar në PSAK. Ndërkaq kjo Strategji parasheh një bashkëpunim të ngushtë edhe me të gjithë akterët tjerë të arsimit profesional, veçanërisht me ndërmarrjet, ka theksuar ministri Buja.
Ministri Buja gjithashtu ka përmend edhe sfidat me të cilat MAShT është përballur, por përkundër sfidave, ministri tha se MAShT mbetet e përkushtuar për tejkalimin e tyre dhe implementimin e plotë të Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2011-2016.