MASHT mbajti testin e arritshmëris për nxënës të klasave të 9-ta
Prishtinë, 3 korrik - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar testin e arritshmërisë për rreth 33 mijë nxënës të klasave të nënta, i cili u mbajt në 90 qendra të testimi dhe u administrua nga zyrtarët e MAShT-it, përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe mësimdhënësit. Gjithsej kanë qenë 2400 administrues dhe 270 anëtarë komisioni të përqëndruar në 30 komuna të Kosovës.
Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit Buja dhe Xhavit Dakaj, sekretar i përgjithshëm i MAShT-it me bashkëpunëtorë, të shoqëruar nga drejtori i DKA-së në Drenas, Arsim Mehmeti, kanë vizituar nxënësit në Drenas me ç`rast u interesuan nëse pyetësori ishte i përballueshëm , i formuluar mirë dhe me përmbajtje nga planprogramet e zhvilluara gjatë shkollimit paraprak për çka nxënësit pohuan se çdo gjë ishte në rregull. Zyrtarët e lartë të MAShT-it gjithashtu uruan nxënësit që të kenë sukses në test dhe në shkollimin e mëtutjeshëm.
Ndryshe, qëllimi i testit të arritshmërisë është të vlerësohet niveli i arritjeve të njohurive të nxënësve me përfundimin e shkollës së Mesme të Ulët dhe orientimi i tyre për regjistrim në shkollimin e mëtutjeshëm.
Varësisht nga rezultat e dëshmuara në test dhe notave nga vlerësimi i brendshëm në shkollë, nxënësit do të regjistrohen në drejtimet e preferuara duke respektuar edhe kriteret e konkursit përkatës.
Testi është i përgatitur nga Njësia për Standarde dhe Vlerësim MAShT në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake me gjithsej 100 pyetje, ndërkaq rezultatet pritet të shpallen me 11 korrik 2012.