MASHT: LDK po spekulon
Prishtinë, 14 shtator - Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim (DVSM) në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) reagon ndaj spekulimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për gjoja falsifikimin e Testit të Maturës.
Të dhënat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me rezultatet e provimit të Maturës shtetërore, ku thuhet se të dhënat e Testit të Maturës janë të dyfishura në 61 për qind, sipas MASHT-it nuk qëndrojnë.
\"Kujtojmë LDK dhe Grupin e Eskpertëve të saj se që nga afati i qershorit deri në afatin e gushtit janë dy muaj kohë për përgatitje\", thuhet në reagimin e Ministrisë.
\"Gjithashtu, LDK thotë se janë manipuluar standardet e testit, por ne pyesim se si ekspertët e LDK kanë pasur mundësi të krahasojnë testin e qershorit me atë të gushtit, derisa testi ende nuk është bërë publik, andaj kjo për DVSM është me prapavijë politike\".
Përpiluesit e teksteve sipas MASHT janë ekspertë, të cilët e kryjnë punën e tyre të pavarur, mbi bazë të kritereve të caktura me standarde.
Të gjithë anëtarët e Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim kryjnë punën e tyre profesionale, që nga vitit 2003, andaj nuk është e drejtë që të politizohen çështjet profesionale me ato politike, sepse në kohën kur është themeluar ky Divizion, MASHT është udhëhequr nga vetë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në bashkëpunim me Komisionin Qendror Shtetëror të Maturës do të dalë me rezultate konkrete, pas përfundimit të tërë procesit të Maturës.