MASHT kërkon mbështetjen për administrim të testit të maturës
Prishtinë, 15 maj - Zëvendësministri i Arsimit Nehat Mustafa , zhvilloi një takim me prorektorin e Universitetit Hasan Prishtina Agron Bajraktari, rektorin e Universitetit Ukshin Hoti të Prizrenit, Mazllum Baraliu dhe rektorin e Universitetit Haxhi Zeka të Pejës, Armand Krasniqi.
Në këtë takim u diskutua për përgatitjet rreth organizimit të Testit të Maturës 2013 . me këtë rast z Mustafa kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve të larta publike mbështetjen e MASHT për administrim të suksesshëm të këtij provimi sfidues.
Meqenëse shumica e fakulteteve i pranojnë (regjistrojnë) studentët pa provim pranues, ndërsa një pjesë e tyre bazohen në pikët e fituara në Maturën Shtetërore, në këtë kuptim, MASHT e konsideron të domosdoshme angazhimin maksimal të profesorëve dhe pedagogëve të Universiteteve Publike me qëllim të administrimit të Testit të Maturës 2013 ka thënë Mustafa.
Përfaqësuesit e universiteteve të përmendura u dakorduan për një gjë të tillë njëzëri dhe u shprehën se do të vënë në dispozicion tërë kapacitetet që kanë me qëllim qe nga ky test të kemi rezultate sa më reale.
Siç dihet Testi i Maturës 2013 do të mbahet me datë 1 dhe 15 qershor 2013 ndërsa MASHT është në përfundim të të gjitha përgatitjeve për të menaxhuar me sukses këtë proces.