MASHT ka ngritur kallëzim penal kundër Armend Ibrahimit
Prishtinë, 7 qershor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ngritur Kallëzim Penal kundër Armend Ibrahimit, kryetar i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shkak të manipulimit të opinionit publik me të dhëna të pasakta, duke u shërbyer, me apo pa qëllim me materiale të falsifikuara me testnin e Maturës Shtetërore të vitit 2013.
Sa për informatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në momentin kur falsifikohet një dokument zyrtar ajo paraqet vepër penale, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 398.
Në rastin konkret, zyrtari i FR të LDK ka tentuar të manipulojë opinionin publik me dokument zyrtar të falsifikuar. Po ashtu, FR i LDK, ka publikuar bisedat private të adoleshentëve të marrë nga rrjetet sociale, duke manipuluar me ta dhe maturantët e tjerë.
Bazuar në këtë MAShT ka bërë kërkesë për Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
MAShT i bën me dije opinionit publik, se procesi i Provimit të Maturës ka qenë i rregullt, prandaj iu bën thirrje të gjithë atyre që tentojnë të manipulojmë me këtë proces, të mos shkaktojnë huti të tilla në opinion dhe te maturantët, të cilët në këtë fazë kalojnë një proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre.