MASHT ka ndarë 580 mijë euro për kërkime shkencore
Prishtinë, 18 janar - Ministria e Arsimit ka ndarë për këtë vit 580 mijë euro për veprimtaritë kërkimore shkencore. Ndërsa, Universiteti i Prishtinës, ende nuk ka ndarë ndonjë buxhet të caktuar për shkencën. Zyrtarë të këtyre institucioneve thonë se me këto mjete do të financohen projekte të ndryshme hulumtuese, ndërkohë, ekspertët thonë se në Kosovë ka pak njerëz që merren me veprimtari të mirëfilltë kërkimore-shkencore.
Arbër Morina, shef i kabinetit të ministrit të Arsimit Ramë Buja, tha për Radio Kosovën se mjetet e ndara për shkencë, do të financojnë projekte të ndryshme, ku përfshihen ato kërkimore, botimet shkencore, bursat e doktoratës, organizimi i konferencës Java e Shkencës, e të tjera.
Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Avdulla Alija, tha se buxheti për hulumtime dhe për çdo aktivitet tjetër, tani është në proces të ndarjes. Ai tha se Universiteti ka një strategji për kërkime shkencore, ku parashihet një shumë, e cila do të duhej ti mirëmbante strukturat që janë përgjegjëse për veprimtari kërkimore-shkencore.
Projektet janë shumë rezultative, nuk janë të shumta në numër sa ne dëshirojmë, por ato që janë, mund të themi se janë shumë rezultative, sepse ato në njëfarë forme e kanë edhe kontrollin e cilësisë, në kuadër të partneritetit me Institucionet jashtë Kosovës. Shqetësim mbetet numri i të angazhuarve që nuk është i kënaqshëm dhe numri i projekteve, i cili varet prej fondeve në dispozicion, tha ai.
Njohës të çështjeve të arsimit, mendojnë se në Kosovë ka pak njerëz që merren me veprimtari të mirëfilltë kërkimore-shkencore. Eksperti Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën, se iniciativat për hulumtime shkencore, vazhdojnë të jenë individuale, ndërkaq, siç tha buxheti i ndarë nuk mjafton.
Bëhet fjalë për një buxhet prej gjysmë milioni eurosh, përderisa me programin kombëtar të shkencës parashihet se buxheti duhet të jetë rreth 4 milionë e gjysmë, pra nëntë herë më i madh. Ky fakt tregon se nuk ka financim të mjaftueshëm për punën kërkimore, tha ai.
Pupovci theksoi se është një numër shumë i vogël i mësimdhënësve në Universitetet Publike dhe ato private që merren me kërkime. Kryesisht institucionet e arsimit të lartë në Kosovë janë të orientuara më shumë nga mësimdhënia, tha Pupovci, duke shtuar se ka pak kërkime dhe pak publikime në krahasim me vendet e tjera të Evropës dhe botës.