MAShT fillon me procesin e zbatimit të Kurrikulës së re
Prishtinë, 23 mars - Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami mori pjesë në takimin e parë me kryetrajnerët e trajnerëve të mësimdhënësve për zbatimin e Kurrikulës së re, që do të fillojë në vitin e ri shkollor 2017/18 në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Bajrami vlerësoi lartë rolin e kryetrajnerëve për zbatimin me sukses të Kurrikulës së re në aspektin e përgatitjes së trajnerëve të mësimdhënësve, të cilët do të ofrojnë njohuritë e duhura rreth kurrikulës së re.
Përmes jush do të barten përvojat më të mira për zbatim të kurrikulës, e cila bazohet në kompetenca, një kurrikulë moderne për zbatimin e suksesshëm të së cilës është shumë me rëndësi që mësimdhënësit ta kuptojnë, të besojnë në vlerat e saj dhe ta implementojnë me sukses në të gjitha segmentet e arsimit, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, po ashtu tha se, zbatimi i kurrikulës së re nënkupton ndërrimin e mentalitetit të vjetër tek mësimdhënësit në aspektin e metodologjisë së mësimdhënies, qasjes në klasë dhe angazhimin e tyre proaktiv, që duhet ti përshtatet plotësisht kurrikulës së re.
Nga puna dhe angazhimi juaj varet shumë se sa do të ketë sukses zbatimi i kurrikulës së re, për të cilën është hartuar edhe udhërrëfyesi, tha ministri Bajrami, i cili shtoi se tashmë janë përzgjedhur koordinatorët për sigurimin e cilësisë në shkolla dhe se vet shkolla në tërësi duhet të jetë e mobilizuar në çdo aspekt.
Ministri Bajrami, një pjesë të fjalës, ia kushtoi edhe licencimit të mësimdhënësve si dhe gradimit të tyre përmes performancës, gjë që do të pasojë me paga stimuluese për mësimdhënësit e dalluar.
Në fund, ministri Bajrami tha se zbatimi i suksesshëm i kurrikulës së re do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim dhe theksoi besimin e plotë në aftësitë e kryetrajnerëve dhe mësimdhënësve që ta arrijmë këtë synim të përbashkët .
Gjatë muajve të ardhshëm, kryetrajnerët do të aftësojnë trajnerët për përgatitjen e mësimdhënësve për zbatimin e Kurrikulës.