MASHT e përkushtuar për një sistem arsimor cilësor
Prishtinë, 2 korrik - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Philip S. Kosnett dhe drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Lisa Magno, me të cilët ka biseduar për sistemin arsimor në Kosovë.
Ministri Bytyqi me këtë rast theksoi se, është fokus i përbashkët për të ndërtuar një sistem arsimor me cilësi, e të vyer për vendin, shoqërinë dhe ekonominë. “Në takimin e sotëm u pa si nevojë që në themelet e procesit të ketë transparencë, profesionalizëm dhe ruajtje te sistemit që të mos bie në margjina politike”, u shpreh Ministri.
“Vëmendja e pareshtur amerikane në përkushtimin dhe gatishmërinë në krah të arsimit tonë, ndërtimit të një sistemi funksional e profesional, e shprehur edhe në takimin e sotëm, na bënë të shtojmë besimin se mund t’ia dalim”, tha ministri Bytyqi.
Ambasadori Kosnett theksoi se, sistemi i arsimit i bazuar në merita dhe transparencë është i domosdoshëm për t’ua mundësuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e saj.
Ministri Bytyqi, falënderoi shkëlqesinë e tij, ambasadorin Kosnett, për vizitën, për qëndrimin në krah të arsimit kosovar, për dyert e hapura të miqësisë e bashkëpunimit që na i shprehu në traditën e mbështetjes amerikane për të cilat dikasteri ynë ka shumë çfarë të konsultojë e mësojë. “Duke qëndruar në krye të detyrës ne do të ia dalim ta bëjmë arsimin tonë një bazë suksesi për shoqërinë dhe ekonominë tonë”, tha në fund të këtij takimi ministri Bytyqi.