MASHT e përkushtuar për infrastrukturë të mirë në shkolla
Deçan, 10 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë marrë pjesë në shënimin e 92 vjetorit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët Maxhun Çekaj në Irzniq të Deçanit.
Minitri Bytyqi, me këtë rast, theksoi se “ne kemi dëshirë që shkollat tona të jenë gjithmonë në festë, të festojnë për suksese, për rezultate të mira të cilat i arrijnë”, ndërsa kujtoi historinë e lavdishme të shkollave, të cilat bartin historinë e arsimimit dhe frymëzimit të luftës për liri, pra dhe përgatitjen e patriotëve dhe intelektualëve tanë.
Ministri Bytyqi kujtoi nxënësit e kësaj shkolle, tashmë heronjë të Kosovës, e në veçanti profesorin, intelektualin dhe komandantin, Maxhun Çekaj, emrin e të cilit e mban kjo shkollë me vendimin e tij të një viti më parë.
Ajo çka na obligon, veçanërisht mësimdhënësit, që përtej angazhimit dhe përkushtimit për edukimin e brezave të rinj, ta kenë edhe një angazhim shtesë, që t’ia shtojnë krenarinë kësaj ane, me ofrimin e një edukimi më të mirë, tha Ministri dhe theksoi se të rinjtë tanë duhet të përgatiten për udhëheqje dhe zhvillim të vendit tonë.
Ministri Bytyqi theksoi se MAShT, në përkrahje të plotë nga Qeveria e Kosovës, është e angazhuar shumë seriozisht, që jo vetëm të përkrahë çdo institucion arsimor në Kosovë me infrastrukturë sa më të mirë, por edhe në ngritjen e cilësisë, në mënyrë që të rinjtë tanë të marrin dijen dhe shkathtësitë e nevojshme.
Në këtë ceremoni, drejtuesit e shkollës, i kanë ndarë mirënjohje ministrit Bytyqi për angazhimin e tij të vazhdueshëm që kjo shkollë të ketë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie.