MASHT e GIZ diskutojnë për rëndësin e financimit të arsimit
Prishtinë, 13 shtator - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), e përkrahur nga GIZ organizon konferencën e nivelit të lartë Rëndësia e Financimit të Arsimit në Kosovë, e cila synon të vë në pah rëndësinë e financimit efektiv të arsimit, si domosdoshmëri për të përmirësuar cilësinë e arsimit si parakusht i zhvillimit ekonomik.
Fjalën e hapjes në Konferencë do ta ketë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ndërsa punimet e Konferencës do ti përshëndesin Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, Kryeministri i Kosovës z. Isa Mustafa dhe e ngarkuara me detyrë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, znj. Christina Gehlsen.
Në Konferencë marrin pjesë edhe drejtues të ministrive të linjës, ambasadorë të shteteve tjera, përfaqësues të Bankës Botërore, shoqërisë civile si dhe bashkëpunëtorë dhe ekspertë tjerë të rëndësishëm në fushën e arsimit.
Konferenca mbahet të martën, më 13 shtator 2016, në sallën e konferencave Betoven në Hotel Emerald në Prishtinë, me fillim në orën 09:00, ndërsa në orën 9:30, do të mbahet konferencë për media në sallën Vivaldi.