MASHT duhet të ndalojë shkeljet që po bëhen nga DKA-të
Prishtinë, 3 dhjetor - Rasti i edukatores Indira Haliti në Mamushë, rasti i mësimdhënëses Samire Çoçaj në Zym të Hasit dhe raste të tjera të bëra publike a të heshtura tregojnë se DKA-të dhe pushtetet lokale në disa komuna të Kosovës po duan të bëjnë çfarë të ju teket me arsimin dhe të punësuarit në këtë sektor me rëndësi.
Edukatorja Indira pas shumë angazhimeve të saj, të SBASHK-ut dhe inspektorëve të arsimit mbrojti arsyeshëm vendin e punës. Inspektorët e arsimit duhet të reagojnë që nga e hëna edhe ndaj rastit të krijuar në shkollën Shtjefën Gjeqovi në Zym të Hasit.
Mësimdhënësja Samire Çoçaj tani e sa vite punon atje dhe ka 15 orë nga gjuha shqipe dhe letërsia e që është profesioni i saj.
Ajo është dashur të ketë kontratë pune në kohë të pacaktuar se kështu e thotë Udhëzimi Administrativ i MASHT, i shtatorit të vitit 2015, por në vend të kësaj DKA-ja në Prizren shpall konkurs për këtë vend pune dhe kështu shkel ligjet dhe Udhëzimin Administrativ të MASHT.
SBASHK-u me të marrë ankesën nga Samirja ka përgatitur gjithë dokumentacionin dhe i është drejtuar
Departamentit të Inspektimit në MASHT dhe ata është pritur të vepronin si zakonisht, por ngjarjet u zhvilluan në Zym me shpejtësi dhe sollën situatën e bojkotit të mësimit, reagimin e kolegëve të Samires dhe ndërhyrjen e policisë.
Në vend të policisë është dashur të ndërhyjnë inspektorët e arsimit të Regjionit të Prizrenit. Ata nuk duhet të lejojnë padrejtësi. Ata është dashur të sjellin vendim meritor dhe ta mbrojnë atë.
SBASHK-u kërkon që inspektorët e arsimit të nivelit Regjional dhe ata të MASHT të reagojnë dhe ta mbrojnë ligjin dhe të drejtën.
SBASHK-u me angazhime konkrete ka përkrahur përpjekjet e mëdha të Ministrit Bajrami për ngritjen e cilësisë në arsim, por cilësia nuk mund të shënojë ngritje të dëshiruara nëse arsimin dhe mësimdhënësit i lëmë në mëshirën e tekave të DKA-ve dhe njerëzve të tjerë të qeverive lokale.
Komunat kanë prirje të sillen sikur të jenë shtete në shtet dhe të bëjnë ashtu si u teket edhe në arsim, por kjo nuk duhet toleruar.
Arsimi dhe punëtorët arsimor nuk janë pronë as e drejtorëve të DKA-ve e as e qeverive lokale . Ata janë njerëz të këtij vendi dhe i mbron e do ti mbrojë ligji dhe SBASHK-u.