23 Dhjetor 2024

MAShT dhe OSBE diskutuan për arsimimin e komuniteteve në Kosovë

Prishtinë, 23 tetor - Zëvendësministrat e Arsimit. Nehat Mustafa, Usmen Baldzi dhe Srboljub Djokiq, pritën në takim znj. Astrid Thors, Komisionare e  Lartë e OSBE-së për Pakicat Kombëtare dhe znj. Paivi Nikander, zëvendësambasadore e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Me këtë rast, znj. Astrid Thors i dorëzoi zv/ministrit Mustafa librin e parë shkollor  Gjuha Shqipe, i hartuar dhe botuar në përkrahje financiare nga Komisari i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, që do t’ju shërbejë nxënësve të komuniteteve për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe doracakun (librin e dytë) Edukata Qytetare dhe Ndërkulturore, të hartuar dhe botuar nga Komisariati i Lartë për Pakicat Kombëtare i OSBE-së në bashkëpunim me MAShT -in.

Zëvendësministri Mustafa falënderoi mysafirët për tekstet dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ai i  njoftoi përfaqësueset larta të Komisionit Evropian dhe të OSBE-së lidhur me zhvillimet në arsimin e Kosovës, me theks të veçantë integrimin e komuniteteve në sistemin e arsimit të Kosovës.

Sa i përket librit Gjuha Shqipe dhe doracakut Edukata Qytetare dhe Ndërkurrikulare, z. Mustafa tha se këto tekste janë të  rëndësisë së veçantë ngase do të  krijojnë ndjenjën e të kuptuarit, njohjes dhe të komunikimit reciprok.

“Ne jemi kampion në vendet e rajonit për sa i përket zhvillimit të mësimit në gjuhët e komuniteteve dhe edhe në të ardhmen do të angazhohemi të hartojmë politika arsimore që promovojnë paqen dhe nxisin integrimet”, tha zv/ministri Mustafa.

Znj. Astrid tha se libri Gjuha shqipe është i hartuar nga ekspertë të kësaj fushe është një tekst shumë i përshtatshëm për mësimin më të lehtë të gjuhës nga ana e komuniteteve. Ndërsa, ajo tha se libri i dytë, Edukata Qytetare, është me vlera të jashtëzakonshme sa i përket njohjes reciproke të kulturave, komunikimit dhe përfarimit të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Zëvendësministrat Baldzi dhe Djokiq i njoftuan bashkëbisedueset lidhur me integrimin e komuniteteve boshnjak, turk dhe serb në sistemin e arsimit të Kosovës.

Nxënësit e komuniteteve boshnjake dhe turke, që nga paslufta, janë të integruar në sistemin e arsimit të Kosovës, ndërsa komuniteti serb gradualisht po përfarohet. “Ne kemi kapacitete që  të ofrojmë shkollim cilësor dhe t’iu ndihmojmë në integrim edhe nxënësve të komunitetit serb“, tha z. Baldzhi.

Ndërkaq, zv/ministri Djokiq tha se në pjesën veriore të Mitrovicës ende nuk është gjendja siç dëshirojmë sa i përket integrimit në sistemin e arsimit, ndërsa në viset tjera ku jetojnë serbët gjendja është më mirë, ku një pjesë e konsiderueshme  është e integruar në sistemin e arsimit të Kosovës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)