MAShT dhe DKA të përgatitura për Provimin e Maturës Shtetërore
Prishtinë, 2 maj - Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë mbajtur të mërkurën takimin e rregullt me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku është disktuar rreth përfundimit të vitit shkollor 2011/2012 dhe përgatitjeve përfundimtare rreth provimit Matura Shtetërore 2012.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa fillimisht ka folur rreth përzgjedhjes së Abetares së përbashkët Shqipëri- Kosovë, manifestimi i së cilës do të mbahet më 8 maj në Prizren, për shkak të rëndësisë që ka ky qytet gjatë gjithë historisë dhe si një vend që lidh dy kryeqytetet, ku të dy ministrat e Arsimit, Ramë Buja dhe Myqerem Tafaj do të bëjnë publike Abetaren e përzgjedhur.
Duke folur rreth përgatitjeve që MAShT-i dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në vazhdimësi janë duke bërë rreth organizmit të Provimit të Maturës, zv. ministri Mustafa ka bërë të ditur se tashmë janë publikuar edhe broshurat me informacionet bazë mbi maturën, për të gjithë maturantët e Republikës së Kosovës.
Zëvendësministri Mustafa, ka lutur DKA-të që ti obligojnë shkollat për të mbajtur nga një test provues me maturantët nga provimet e viteve të kaluara, në mënyrë që ata të informohen më shumë rreth mbushjes së fletëpërgjigjeve dhe të bëhet një lloj socializimi i maturantëve me testin e maturës.
Ndërsa, drejtori i departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar, Agim Bërdyna , i cili ka folur rreth planit dinamik dhe teksteve shkollore, ka kërkuar nga DKA-të që të përcjellin shkallën e dëmtimit të teksteve nga nxënësit e nivelit fillor të arsimit, si dhe të sillen me kohë shënimet e nevojshme për pajisje me tekste shkollore nga shkollat private.