MAShT dhe Arsim i Lartë i Turqisë nënshkruan bashkëpunimin
Prishtinë, 31 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç, përmes të cilës është nënshkruar protokoli zbatues i Memorandumit të Bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë me Këshillin për Arsim të Lartë të Republikës së Turqisë.
Synimi i këtij Protokoli është përcaktimi i vendosjes, pagesës së arsimit universitar dhe pasuniversitar, si dhe përcaktimi i bursave dhe çështjeve tjera të ndërlidhura për studentët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mbaruar shkollimin e tyre 12 vjeqar në institucionet arsimore në Kosovë.
Ministri Bajrami u shpreh i kënaqur që po vazhdon bashkëpunimi me Këshillin për Arsim të Lartë të Turqisë. Praktika e përkrahjes së studentëve përmes bursave është praktikë shumë e mirë dhe një kontribut i madh për studentët kosovarë, tha ai.
Ministri theksoi se kjo është gjenerata e dytë që po përkrahet me bursa nga Republika e Turqisë, ndërsa uroi që studentëve që tashmë janë duke i ndjekur studimet në universitetet turke të jenë duke iu shkuar mirë studimet.
Ministri Bajrami, me këtë rast, falënderoi shtetin turk edhe për vendimin që gjuha shqipe të fillojë të mësohet në shkollat turke dhe shprehu gatishmërinë institucionale të Kosovës që të ndihmojë në këtë drejtim.
Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç, falënderoi ministrin Bajrami dhe Ministrinë e Arsimit për gatishmërinë e vazhdueshme për bashkëpunim, ndërsa uroi që studentët që do të diplomohen në Turqi të japin kontributin e tyre në zhvillimin e Kosovës.