MASHT dënon kërcënimin me dhunë ndaj ministrit Bajrami
Prishtinë, 20 nëntor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e dënon kërcënimin me dhunë të kryer dje ndaj ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, nga përfaqësuesi studentor në Senatin e Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, me inicialet R. K.
Me 19 nëntor 2015, në 18:36, ministri Bajrami ka pranuar mesazhe kërcënuese nga ky përfaqësues studentor në Senatin e Universitetit të Prishtinës, me qëllim të kanosjes me dhunë, pengimit në ushtrimin e detyrave zyrtare të Ministrit dhe thirrjen për rezistencë dhe mosbindje ndaj vendimeve të ligjshme, që paraqesin vepra penale të dënueshme sipas nenit, 128, 185, 409, 411 të Kodit Penal i Republikës së Kosovës.
Kërcënime e tilla me dhunë, kanë për synim të pengojnë përkushtimin e MAShT për vendosjen e rendit akademik dhe ngritje të cilësisë në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, si dhe të realizimit të interesave të kundërligjshme dhe në dëm të interesit të studentëve të Universitetit, përmes metodave të presionit dhe kërcënimit me dhunë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shpreh përkushtimin dhe vendosmërinë për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe i bën thirrje të gjithë studentëve që të jenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta për përmirësim të cilësisë së studimeve dhe shërbime në Universitet.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po ashtu, fton organet kompetente që të marrin masa në parandalimin dhe ndjekjen e kryerësve të akteve të tilla të ulëta të kërcënimeve me dhunë.