Marrëveshje edhe për 55 bursa për studime në Universitetin e Sheffield-it
Prishtinë, 5 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe përfaqësuesi i Universitetit tё Sheffield-it, Fakulteti Ndërkombëtar CITY College, Ioannis Ververidis nënshkruan sot Marëveshje Bashkëpunimi për vitin 2015/ 2016.
Me kete marreveshje me të cilën do të vazhdohet skema e bursave për tri ciklet e studimit Bachelor, Master dhe PhD. Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ka marrë pjesë edhe shefja e Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Konstantina Athanassiadou.
Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, marrëveshja e nënshkruar është vazhdimësi e bashkëpunimit të filluar vite më parë, nga e cila kanë përfituar një numër i madh i studentëve. Një bashkëpunim i mirë i filluar vite më parë po vazhdon dhe ne jemi pajtuar që këtë bashkëpunim ta shtrijmë në dy fusha. Sa i përket fushës së parë, do të ndajmë 55 bursa për studentët tanë në tri ciklet e studimit, në studimet Bachelor, Master dhe PhD.
Ministri Bajrami, po ashtu, ka folur edhe për krijimin e partneritetit në mes të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë me Universitetin e Sheffield-it, si një nga universitetet me prestigj të lartë botëror, sa i përket procesit të reformimit të arsimit të lartë.
Ndërsa, Ioannis Ververidis, rektor i Fakultetit Ndërkombëtar të Universitetit të Sheffield-it - Fakulteti Ndërkombёtar CITY College, tha se deri më tani më shumë 250 të rinjë kosovar kanë përfituar bursa në 6 vitet e fundit . Me kënaqësi bëj të ditur se ata sot kontribuojnë për ndërtimin e kapaciteteve dhe punojnë për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi. Shumica prej tyre mbajnë pozita të larta në sektorin publik dhe privat në Kosovë, tha z.Ververidis.
Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të MAShT dhe Universitetit të Sheffield-it parasheh ndarjen e 55 bursave për tri nivelet e studimit Bachelor, Master dhe PhD.