Marrëveshje bashkëpunimi për ngritjen e cilësisë në shkolla
Mitrovicë, 14 korrik - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe shefi i programit për aftësimin themelor, Keith Prenton, që financohet nga USAID-i dhe qeveria kosovare kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për një projekt pesëvjeçar për ngritjen e profesionalizimit te mësimdhënësve në këtë komunë.
Projekti fillimisht do të nis në shkollën fillore Muharrem Bekteshi në Mitrovicë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar bartësit e këtij projekti, duke e vlerësuar si shumë me rëndësi për ngritjen e përgjithshme të nivelit të edukimit në shkollat e komunës.
Ai tha se në kuadër të mundësive dhe përgjegjësive që ka, komuna do të ndihmoj në të gjitha aspektet në këtë drejtim.
Ndërsa shefi i Programit për Aftësimin Themelor, Keith Prenton, tha se qëllimi është që të ndihmohen komunat, përkatësisht drejtoritë e arsimit për ngritjen e profesionalizimit të mësimdhënësve dhe ngritjen e cilësisë së punës në shkolla. Është projekt që realizohet në partnerit mes USAID-it, qeverisë, komunës dhe shkollës.
Ai sqaroi se tri pikat kryesore në kuadër të këtij projekti pesëvjeçar janë ngritja e kapaciteteve menaxhuese të shkollave ne mjedis të decentralizuar, mandej përforcimi i vlerësimit të rezultateve të mësimnxënies dhe përmirësimin e zhvillimit të mësimdhënësve në shërbim.
Fillimisht projekti do të nis në shkollën fillore Muharrem Bekteshi, ku do të nis edhe trajnimi i mësimdhënësve, tha ai, duke shtuar se brenda pesë vitesh planifikohet që të trajnohen të gjithë mësimdhënësit.
Në bazë të marrëveshjes së mirëkuptimit, të cilën pos kryetarit të komunës dhe shefit të programit e nënshkruan edhe drejtori komunal i Drejtorisë së Arsimit, Ali Bejta dhe
drejtoresha e shkollës, Sanie Raifi, të gjithë këta akterë do ti kenë përgjegjësitë e veta të ndara. Drejtuesit e Programit për Aftësim Themelor, kanë përgjegjësinë për blerjen e pajisjeve dhe mobileve, përfshirë kompjuterët dhe lidhjet e internetit, mandej ofrimin e programeve për ngritje profesionale të mësimdhënësve etj.
Ndërsa komuna do të ketë përgjegjësi për sigurimin e një vendi të përshtatshëm për bashkëpunim me personelin e Programit për Aftësim Themelor, mandej ofrimin e personelit për organizim të aktiviteteve në nivel lokal etj.
Në anën tjetër, shkolla do të ketë përgjegjësi për garantimin e ekipit që ndihmojnë hulumtuesit e Programit, mandej të garantojnë siguri për pajisjet etj.
Shefi i Programit për Aftësimin Themelor, Keith Prenton, tha se moto e këtij projekti është të zhvillojnë shkathtësitë e nxënësve të shekullit 21 përmes shkollave dhe komuniteteve. Qëllimi kryesor është avancimi i kapacitet institucional i Qeverisë së Kosovës në sektorin e arsimit.