Marjan Dema zgjedhet rektor i Universitetit të Prishtinës
Ai ka 7 vota nga nëntë anëtarë sa ka Këshilli. Në garë për këtë post kanë qenë Afrim Hamidi, profesor i asociuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Xhevat Berisha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Nuredin Mestani, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vlerësuar lartë procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, i cili u përmbyll sot me rastin e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina.
Me këtë rast, falënderojmë të gjithë bartësit e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e organeve të Universitetit për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të rregullta dhe transparente.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami uron Prof. Dr. Marjan Dema, për zgjedhjen në detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, duke i ofruar mbështetjen dhe bashkëpunim e plotë në realizmin e programit të punës për fuqizimin e Universitetit, si institucioni kryesor i arsimit të lartë në vend dhe vënien e universitetit në shërbim të shoqërisë dhe të ekonomisë së vendit.