22 Dhjetor 2024

Malcolm nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”

Prishtinë, 12 shtator - Sot në ambientet e Rektoratit, Profesori i njohur i Universitetit të Oxfordit dhe historiani anglez, Noel Malcolm, për kontributin e dhënë për çështjen e Kosovës, në veçanti me librin “Kosova-një histori e shkurtër”, nga Universiteti i Prishtinës u nderua me çmimin “Doctor Honoris Causa”.

Me këtë rast, ministri Ramë Buja tha se historiani Malcolm, është njeriu që ka dhënë shumë për të vërtetën, shqiptarët dhe Kosovën.

Ai theksoi se me të gjithë anglezfolësit që është takuar gjatë këtyre viteve, duke përfshirë këtu edhe ish kryeministrin e Britanisë, Toni Bler, i janë referuar librit të Dr. Malcolmit për historinë e Kosovës.

“Ne me këtë nderë që i bëjmë profesorit Malcolm, i bëjmë nderë edhe vetes, edhe historisë sonë, për të vërtetën që është thënë nga dikush që nuk është shqiptar, që ka ndikim tëpër të veçantë dhe shumë me rëndësi në të gjithë botën. Kjo rëndësi është shfaqur edhe në tërë rrugën tonë, prej kohës kur është botuar libri dhe ndikimi ka qenë tepër pozitiv”, tha ministri Buja.

Ndërsa, historiani Malcolm, i cili në vitin 1998 botoi librin “Kosova, një histori e shkurtër”, tha se ky çmim e nderon shumë, pasi Kosova është për të një vend me vlera shumë të veçanta.

Ai tha se ka vendosur të shkruaj edhe për Kosovën në kohën kur ka qenë duke shkruar historinë e Bosnjës, për të nxjerrë të vërtetat, duke kundërshtuar falsifikimet historike nga ana e Beogradit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Doctor Honoris Causa”, për Malcolm, i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili para të pranishmeve në cilësinë e laudatorit të Malcolm tha: “Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot këtu për të lauruar me titullin tonë më të lartë, shkencëtarin, historianin dhe mikun tonë të shquar, Prof. Dr. Noel Malcolm.

"Sot, Universiteti i Prishtinës ka nderin që të gëzojë praninë e Dr. Malcolm për ta nderuar atë me titullin “Doctor Honoris Causa”. Sot, Universiteti i Prishtinës nderon një shkencëtar të pashoq, një historian kureshtar e të etur për dije, një profesor që çdo student do të donte ta kishte përballë, një profesor që çdo universiteti do t’i bënte nderë dhe çdo kolege do ta bënte krenar, e mbi të gjitha një mik të te vërtetës shkencore dhe te popullit tonë, që kontribuoi në ndriçimin e historisë sonë të përdhosur me shekuj të tërë", ka theksuar ministri Kuçi.

Noel Malcolm, i njohur si historian modern Anglez, u arsimua në Kolegjin Eton, mësoi për histori në Perhouse të Kembrixhit, ku diplomoi me nderime si studenti më i dalluar. Doktoratën e tij ai e mori nga Trinity College të Kembrixhit, ndërkohë që është anëtar dhe studiues edhe në kolegjet e tjera të Kembrixhit.

Ai ka një të kaluar të bujshme si gazetar dhe redaktor. Ishte redaktor i gazetës “The Spectator” (Spektatori) dhe kolumnist i rregullt i “Daily Telegraph” në Londër.

Malcom  e la gazetarinë në vitin 1995 për të vazhduar karrierën e tij si shkrimtar, kur ishte edhe koha gjatë së cilës ai punonte në veprën e tij të shquar “Kosova-një histori e shkurtër”. Që nga viti 2002 ai është anëtar hulumtues i Kolegjit All Souls të Universitetit të Oxfordit.

Ai vazhdon punën e tij të mrekullueshme në këtë Universitet, si anëtar i këtij kolegji i cili njihet si njëri nga kolegjet më të famshme në botë për hulumtime në fushën e historisë. Njihet edhe për redaktimin dhe ribotimin e veprave të Tomas Hobes-it, përfshirë këtu “Leviatanin”.

Dr. Malcom njihet për dijen e thellë dhe guximin intelektual për t’i thënë gjerat ashtu si janë, është përkrahës i zbulimit dhe prezantimit të së vërtetës.

Ai me ngulm provon që rruga shkencore mund te zbërthejë argumentet politike dhe jo e kundërta. Ai çmon dhe njeh shkencën si të vërtet universale dhe i bindet vetëm asaj.

Ka shumë vite, qysh nga botimi i librit të tij për Kosovën, që ai vazhdon të publikojë artikuj për historinë moderne të Kosovës, duke u bërë kështu një aktivist i shquar i pavarësisë së Kosovës.

Sot ai vazhdon të jetë anëtar i nderuar i bordeve të gazetave, organizatave ndërkombëtare, President i Asociacionit Shqiptaro-Anglez dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

"Si mik tanin ne e njohëm në veçanti qysh në vitin 1998, kur ai botoi veprën e tij të famshme tashmë “Kosova-një histori e shkurtër”. Kontributin e tij në shkrim të kësaj vepre, e mirëpritëm po aq sa i mirëpritnim bashkimin e forcave të djemve dhe vajzave tona për të na u bashkëngjitur në luftën tonë për liri dhe drejtësi. Libri i tij ishte arma jonë në diplomacinë e botës në atë kohe", ka shtuar me tutje Kuçi.

Dr. Malcom sipas tij shkroi për historinë tonë, jo duke u nisur nga subjektivizmit por nga e vërteta që e kishte si qëllim, dhe e vërteta është një- nuk i takon një populli apo individi por vetë të vërtetës. Përmes kësaj vepre bota njohu me mirë historinë e vërtetë të Kosovës por edhe Kosova njohu më mirë historinë e vet.

Ne kohën kur Serbia kishte argument kryesor atë që ajo e quante argument historik dhe mitin për Kosovën, Malcom argumentoi të kundërtën e asaj historie që me shekuj është ushqyer nga politika dhe historiografia serbe.
 
"Dr. Malcolm, Universiteti i Prishtinës sot me plot kënaqësi dhe krenari ju nderon me titullin “Doctor Honoris Causa”, por më duhet të them që në të vërtetë është Universiteti i Prishtinës ai që sot nderohet me pranimin tuaj të këtij titulli."
 
Kuçi ka shtuar me tutje se Universiteti i Prishtinës dhe Republika e Kosovës do të mburren përherë me Doktor nderi dhe miq si Ju, andaj me plote bindje i propozoj senatit të Universitetit të Prishtinës tua ndaj titullin” Doctor Honoris Causa” të cilin e meritoni si studiues dhe mbrojtës i së vërtetës”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)