Malcolm do ta marr çmimin Honoris Causa nga UP
Prishtinë, 11 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pritur sot në takim historianin e shquar britanik Noel Malcolm, të shoqëruar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova.
Ministri Buja me këtë rast, shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim të veçantë, me mikun e madh të Kosovës, historianin Noel Malcolm.
Ministri e falenderoi autorin e librit Kosova, një histori e shkurtër, për punën që ka bërë për shqiptarët.
E vërteta që themi ne shqiptarët për veten tonë ka më pak peshë, por kur e thotë këtë një mik i yni, ka peshë shumë të madhe, tha ministri Buja.
Ministri Buja poashtu, e uroi Malcolm për çmimin Honoris Causa që do ta pranojë edhe solemnisht nga Universiteti i Prishtinës.
Ndërsa, historiani i njohur Malcolm, poashtu u shpreh i kënaqur që ndodhet sërish në Kosovë dhe atë në një kohë kur vendi ynë po shënon një ngjarje të rëndësishme, përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.