LS: Vendimet e fundit të Senatit probblematike
Prishtinë, 10 dhjetor - Lëvizja Studentore për Barazi STUDIM KRITIKË VEPRIM që nga themelimi i saj angazhohet për ngritjen e përkushtimit për dije, duke e nxjerrë arsimin e Universitetin nga reduktimi që iu është bërë atyre nga logjika e betonit dhe asfaltit.
Në këtë drejtim, ne shprehim konsideratën tonë për përpjekjen e organeve të Universitetit për vendosjen e kritereve brenda UP-së.
Por, gjithashtu jemi të bindur se një ndërmarrje e tillë aq e nevojshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga organet udhëheqëse të fakulteteve. Gjendja e rëndë ku ndodhet Universiteti vjen si pasojë e menaxhimit të dobët dhe udhëheqjes korruptive; mungesës së rregullit e përkushtimit në shumë raste edhe nga stafi akademik, dhe nuk vjen si pasojë e përtacisë së studentëve. Pa mësimdhënie dhe organizim të dijes, nuk mund të ketë mësimnxënie.
Nga vendimi i fundit i Senatit të Universitetit të Prishtinës, ne shohim si problematike disa pika të këtij vendimi:
Pika e parë e vendimit të parë parasheh që studentët e vitit të parë, vitin e dytë e regjistrojnë me jo më shumë se një provim të mbetur.
Pastaj, vitet pasardhëse i regjistrojnë me vitin paraardhës të përfunduar, dhe jo më shumë se dy provime të mbetur. Problemi i kësaj pike është mënyra si trajtohen provimet e lëndeve të ndryshme brenda një viti akademik. Ne mendojmë që provimet nuk duhet trajtuar vetëm si numër dhe në mënyrë të njejtë. Për neve do të ishte më e drejtë dhe e saktë që lëndët varësisht nga cilësimi, të vlerësohen me kredi të ndryshme. Pra, të kemi kreditë si vlerë, dhe jo vetëm provimin si numër.
Pikat 5 dhe 6 të vendimit të dytë të Senatit të Universitetit të Prishtinës, i cili bazohet në nenin 111 të Statutit të Universitetit thonë që për afatet e plotësuese, sikurse ai i prillit dhe nëntorit, studentët mund të paraqesin vetëm nga një provim. Duke mos e treguar motivin dhe synimin e këtij vendimi ne e shohim si të panevojshëm vendosjen e limiteve për këto dy afate dhe kështu mendojmë që duhet të hiqen këto kufizime për mundësinë e paraqitjes të jo më shumë se një provimi.
Po ashtu, ky vendim nuk trajton fare të drejtën e absolventëve për tiu nënshtruar vazhdimisht provimeve. Praktikat e deritashme kanë treguar se asnjëherë çështja e absolventëve nuk ka qenë e rregulluar si duhet nga Senati.
Disa njësi akademike kanë organizuar afate të përmuajshme e disa jo, madje edhe brenda njësive akademike ka pasur katedra që kanë bërë ose jo një gjë të tillë.
Ne mendojmë se senati duhet të trajtojë këtë problem dhe të vendos që afatet e absolventëve të mbahen njejtë në të gjitha njësitë akademike. Kjo çështje duhet të fomalizohet patjetër me vendimin përkatës.