Limaj në përkrahje të angazhimeve të SBASHK-ut
Prishtinë, 11 janar - Në kuadër të përpjekjeve të mëdha të SBASHK-ut që çështjet e ngritura të zgjidhen me dialog, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe menaxheri për financa e këshilltar për organizim të brendshëm Ymer Ymeri kanë pasur sot takime të ndara me Zv/kryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj dhe Me ministrin e MASHT, Shyqiri Bytyqi.
Zv/kryeministri Limaj i ka deklaruar delegacionit të SBASHK-ut se përcjellë vazhdimisht angazhimet dhe përkushtimin e tyre për t’u shprehur se ai fuqishëm përkrah dërgimin sa më të shpejtë të Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës në Parlament sepse, si tha ai, mësimdhënësit e asaj kohe meritojnë resketin më të lartë pasi me mund e sakrifica kanë mbrojtur gjuhën shqipe dhe arsimin në tërësi në ato vite të vështira të Kosovës .
“Duhet ruajtur e respektuar personalitetin e mësuesit edhe sot e gjithmonë dhe atij i duhet mbështetja në përpjekjet për një arsim edhe më cilësor. Ne nuk do të veprojmë vetëm, po bashkë me SBASHK-un në të gjitha këto përpjekje “ , ka thënë Limaj.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë njoftuar zv/kryeministrin Limaj për të gjitha shqetësimet duke treguar se ka tensione të ngritura të punëtorët e arsimit dhe se atyre iu drejtohemi me mesazhe mobilizimi dhe respekti për misionin e tyre të shenjtë në edukimin dhe arsimimin e brezave, duke kërkuar që të japin maksimumin nga vetja e tyre për një arsim më cilësorë.
“Duke monitoruar në orët mësimore inspektorët profesionalë do të vërejnë nga afër dhe do ta vlerësojnë punën e mësimdhënësve dhe pastaj bashkërisht do t’i korrigjojnë të metat eventuale”, kanë thënë përfaqësuesit e SBASHK-ut, duke kërkuar angazhimin e z. Limajt që çështjet të zgjidhën me dialog në mënyrë që të mos ketë veprime sindikale, të cilat bazuar në aktualitetin janë shumë të mundshme.
Në vazhdën e këtyre përpjekje delegacioni i SBASHK-ut zhvilloi një takim pune po sot edhe me Ministrin në MASHT, Shyqiri Bytyqi për të shpalosur me të gjitha çështjet dhe sfidat aktuale.
Minsitri Bytyqi është shprehur se kupton angazhimet e SBASHK-ut në përpjekje që ngritja e pagave të mos jetë 4.6 %, por një rritje më e madhe duke shtuar se as ai e as Ministria që drejton nuk është kundër ndonjë rritje tjetër të mundshme, porse kjo varët nga mundësitë buxhetore dhe se nuk është në kompetencat e tij. Po ashtu ai është shprehur i bindur se Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës shumë shpejtë do të gjendet para deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Ministri Bytyqi e ka ritheksuar edhe një herë se MASHT nuk angazhohet për as një lloj testimi me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve , por është duke u angazhuar të gjendet një formë për vlerësimin e përformancës në punë dhe për të gjetur forma që të dihet se për cilat trajnime kanë nevojë mësimdhënësit sipas shkollave e pastaj edhe komunave.
Të dy palët janë shprehur se me angazhime të përbashkëta do të veprojnë në shërbim të arsimit dhe punëtorëve të këtij sektori të rëndësishëm për shtetin tonë.