Licencohen edhe mbi 2900 mësimdhënës të rajonit të Pejës
Prishtinë, 13 shkurt - Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njëherit edhe kryetar i Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, ka ndarë sot simbolikisht licencat për mbi 2900 mësimdhënësit e rajonit të Pejës (ku përfshihen pesë komuna).
Zv/ministri Mustafa, gjatë kësaj ceremonie, ka folur për katër komponentat e licencimit të mësimdhënësve: zhvillimi profesional i mësimdhënësve, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, licencimi si proces, që do të thotë vet ndarja e licencës si dhe avancimi në kualifikimin e mësimdhënësve.
Më pas, zv/ministri Mustafa, u ndal të komponenta e tretë që nënkupton pajisjen e çdo mësimdhënësi me licencë. Përmes procesit të licencimit të mësidhënësve dhe katër komponenteve të saj, Ministria e Arsimit synon ngritjen e cilësisë në arsim, tha ai.
Licencimi i mësimdhënësve nuk është thjeshtë një leje pune, theksoi zv/ministri Mustafa, por mbi të gjitha është një mundësi për përparim në karrierë, sepse mësimdhënësit duke u mbështetur në numrin e trajnimeve dhe me vlerësimin e performancës, mund të kalojnë nga një nivel në nivelin tjetër të licencës, e cila gjithashtu do të shoqërohet me një rritje page.
Shpërndarja e licencave në regjionin e Pejës shënon fundin e fazës së parë të licencimit të përgjithshëm të mësimdhënësve, prandaj tani e tutje do të procedohet me raste të veçanta të licencimit, tha ai.
Zv/ministri Mustafa, gjatë komunikimit me mësimdhënës, kritikoi të gjithë ata që flasin për cilësinë e arsimit me tendencë, ose pa njohuri të mjaftueshme për zhvillimet e arsimit në Kosovë dhe punën e madhe që janë duke bërë mësimdhënësit për ti realizuar me sukses reformat e filluara nga MAShT.
Me pilotimin e kurrikulës bërthamë, faktikisht po hyjmë në fazën e përfundimit të reformës në procesin e reformimit të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës, tha zv/ministri Mustafa.