Licencimi i universiteteve bëhet me dispozitat ligjore
Prishtinë, 28 shtator - Disa çështje të nostrifikimi të diplomave, pastaj funksionimi i kolegjeve të palicencuara dhe vonesat në lëshuarjen e diplomave nga ana e disa universiteteve private, ishin tema qendrore të mbledhjes së Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Arsim Rexhepi, kryetar i komisionit.
Këto çështje ishin ngritur në një mbledhje të mëparshme të këtij komisioni, ndaj edhe ishte ftuar në këtë mbledhje ta japë një informatë ministri i Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë Enver Hoxhaj.
Ministri Enver Hoxhaj që në fillim theksoi këto çështje përbëjnë shqetësim edhe për ministrinë, ndaj edhe u kushtohet rëndësi e posaçme për të mënjanuar çdo parregullsi e për vijueshmëri të veprimtarisë në pajtim me dispozitat ligjore.
Një hap i rëndësishëm për të vënë rregull në këto segmente është themelimi i Qendrës për njohje edhe ekuivalencë- NARIC, që është themeluar në bashkëpunimi me Austrinë. Në funksion të kësaj është formuar edhe grupi i ekspertëve për njohje të diplomave, përkatësisht gradave profesionale.
Si ministri Hoxhaj , ashtu edhe bashkëpunëtorët e tij, theksuan se tashmë nuk ka probleme në çështjen e njohjes së diplomave, sepse këtë punë e bëjnë ekspertët përkatës.
Mirëpo, probleme bëjnë disa kandidatë, kur në mënyra të ndryshme përpiqen të thyejnë rregullat e ngritjes profesionale e shkencore, si për shembull në rastet kur duke manipuluar regjistrohen dhe kryejnë shkallën e tretë të studimeve, pa kryer më parë shkollën mesme ose fakultetin.
Për disa raste të universiteteve që ishin përmendur se punojnë pa licenca u tha se ato nuk kanë regjistruar studentë dhe janë marrë masa që t iu pamundësohet veprimtaria joligjore. Edhe në aspektin e dhënies me kohë të diplomave universitare janë bërë hapa të rëndësishëm, por edhe këtu ka zvarritje për shkak se duhet shqyrtuar mirë e mirë se kandidatët a e kanë kryer shkollimin paraprak, para se të regjistrojnë fakultetin.