LDK: Universiteti i Prishtinës të trajtoj studentët si student e jo si klient
Prishtinë, 19 dhjetor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se sot më shumë se kurrë, është duke u dëshmuar se korrupsioni si dukuri është duke dëmtuar jo vetëm shtetin dhe shoqërinë e Kosovës por edhe të ardhmen e të rinjve tanë, rasti i fundit me skandalet në Universitetin e Prishtinës e dëshmon më së miri këtë fenomen gjithnjë në rritje.
LDK konsideron se në vend se të merren me përmirësimin e kushteve të studentëve dhe mundësive për rritjen e hulumtimeve dhe publikimeve të ndryshme, rritjen e cilësisë së arsimit universitar krahasuar me atë perëndimor dhe evropian, zyrtar të caktuar, e të politizuar të Universitetit të Prishtinës, janë duke dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e Universitetit të Prishtinës, të ndërtuar me aq mund, sakrifica, djersë dhe përkushtim, të ndërtuar me vite e gjenerata të tëra, por janë edhe duke e rrezikuar të ardhmen e shoqërisë, shtetit dhe të rinjve të Kosovës në veçanti, përmes rritjes së shkallës së keqmenaxhimit, korrupsionit dhe politizimit të këtij institucioni të dijes.
\"Në kohën kur Kosova përballet me sfida nga më të ndryshmet, Kosovës më sa paku i nevojiten kategori të njerëzve me diploma të blera të cilët janë dhe do të vijnë, nga dhe në pozita kyçe të shtetit dhe shoqërisë dhe të cilët me këtë qasje, në vend se ta luftojnë korrupsionin, do ta zhvillonin tutje, jo vetëm si veprim, por si dukuri dhe qasje të veprimit të tyre politik, duke e thelluar gjendjen e korrupsionit në të cilën gjendet Kosova sot\", thekson LDK.
Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës beson në një Universitet të Prishtinës i cili do të njihej si tempull i dijes, i vlerave intelektuale e njerëzore, një institucion në të cilin studentët trajtohen si student dhe jo si klient, ku vlerat dhe të arriturat janë rezultat i performancës akademike, dijes e studimit dhe jo i manipulimit, klientelizmit dhe politikës.
Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkon nga institucionet përgjegjëse që menjëherë të merren masat e nevojshme ligjore për ruajtjen e vlerave, kredibilitetit dhe imazhit të Universitetit të Prishtinës, si universitet publik.