LDK: Thaçi edhe njëherë tenton të mashtrojë arsimtarët
Prishtinë, 18 shtator - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se premtimi i djeshëm i kryeministrit Thaçi për rritje pagash për arsimtarët paraqet edhe një premtim bosh të tij.
Për ta dëshmuar të kundërtën, LDK-ja fton Thaçi ta bëjë të qartë kur do të implementohet kjo rritje.
Po ashtu, LDK-ja fton ministrin e Financave, Hamza, të deklarohet se nga do të sigurohen mjetet për këtë rritje, ose të marrë guximin dhe ta përgënjeshtrojë shefin e tij.
LDK-ja e fton Thaçi që të paguajë pagat me rritje për muajt janar dhe shkurt të vitit 2011, sipas premtimit që ka dhënë në fushatën e tij, sepse ky është edhe borxhi i tij privat.
LDK-ja fton Thaçi të paguajë mungesën e mjeteve nga granti për arsim për paga të arsimtarëve në një pjesë të mirë të komunave të Kosovës.
Ia kujtojmë premtuesit Thaçi se shumë komuna po përballen me vështirësi për të paguar pagat e arsimtarëve, pasi granti për arsim për vitin 2012 është i njëjtë me vitin 2011, kur nuk u paguan pagat me rritje për janar dhe mars 2011. Si rezultat, arsimtarët mund të mbesin pa paga në nëntor e dhjetor të këtij viti.
LDK-ja e fton z.Thaçi të ndajë buxhet për përfundimin e shkollave nëpër komuna që kanë nisur nga viti 2008 e këndej dhe të heqë dorë nga tentimi për të mashtruar përsëri.
LDK-ja konsideron se nga çdo rritje e pagave duhet të përfitojnë të gjitha kategoritë: arsimtarët, nëpunësit civilë, mjekët, policët, prokurorët, gjykatësit, trupat e forcave të sigurisë, doganierët, zjarrfikësit dhe kategoritë e tjera të të punësuarve në sektorin publik.
LDK-ja vlerëson se nga çfarëdo rritje duhet të përfitojnë edhe pensionistët dhe familjet në asistencë sociale, si dhe invalidët e luftës dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta.
LDK-ja fton Thaçi të implementojë Ligjin për kategoritë e dala nga lufta, ta aprovojë sa më parë Ligjin për pensionet dhe të rrisë asistencën sociale për familjet e varfra, përpara se të vendosë të rrisë buxhetin për asfaltin me kosto tepër të lartë dhe të papërballueshme.