LDK: Qeveria e PDK-së tenton ta falsifikoj historinë
Prishtinë, 12 shtator - Qeveria e PDK-së, e njohur gjerësisht për mungesë transparence, për papërgjegjshmëri e shpërdorime në të gjitha fushat, tani, tinëzisht e për interesa politike, i ka hyrë punës që të ndryshojë politikisht tekstet e historisë së popullit shqiptar.
Edhe pse Qeveria u përpoq ta fshehë, u mësua që ajo tanimë ka nisur veprimet politike për ndryshimin e teksteve shkollore të lëndës së historisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria nuk guxon të ndërhyjë në çështje të kësaj natyre, meqë këto nuk janë çështje të politikës së ditës e as çështje të qeverive.
Tekstet shkollore burojnë nga kurrikulat dhe shkruhen nga profesionistët. Vetëm në vendet totalitare qeveria ndërhyn ose përcakton se për çfarë duhet të shkruhet në tekstet shkollore e si duhet të shkruhen ato. Çdo ndërhyrje në këtë fushë, nënkupton tendencën për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të falsifikuar faktet.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se të gjitha diskutimet për çështje të kësaj natyre, përherë duhet të bëhen në qarqet akademike e intelektuale, sepse vetëm qarqet e tilla janë kompetente për të vlerësuar lëndën dhe gjuhën e teksteve.
Qeveria duhet të përkrahë këto qarqe në punën e tyre, të ndihmojë konkrektisht, së pari duke u garantuar kushte e liri në punën e tyre, e jo të marrë përsipër të bëjë keq punën që profesionistët e bëjnë mirë.
Qeveria e cila e ka shpallur Kosovën Shtet të dijes, duhet ta dijë që shtetin e tillë nuk mund ta udhëheqin njerëzit e paditur.