LDK: MASHT po manipulon me tekstet shkollore
Prishtinë, 22 shtator - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, që nga viti 2007, po shkel Ligjin për Botimin e Teksteve Shkollore, Mjeteve Mësimore, Lektyrës Shkollore dhe të Dokumentacionit Pedagogjik, si dhe po manipulon me tekstet shkollore e po diskriminon botuesit e autorët e librave shkollorë.
Kjo Ministri, në kundërshtim me Ligjin për Botimin e Teksteve Shkollore..., në kundërshtim me parimet e konkurrencës së lirë, duke shkelur standardin për tekste alternative dhe vendimet e veta, arbitrarisht ka vendosur që në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta të Republikës së Kosovës të përdoret vetëm një tekst për një lëndë, duke përjashtuar pa të drejtë tekstet alternative, të miratuara nga vetë Ministria.
Që nga viti 2007, kur ish-ministri Hoxhaj arbitrarisht lidhi marrëveshje me dy shtëpi botuese për ti furnizuar shkollat me tekste dhe përjashtoi çdo mundësi tjetër, MASHT-i ka shkelur sistematikisht ligjin e nënvizuar më lart, ka krijuar monopol dhe klimë për afera korruptive, meqë veprimi i tillë shfaq premisa të qarta të konfliktit të interesit. Po ashtu, heqja e mundësisë së zgjedhjes së tekstit me të cilin duan të punojnë mësimdhënësit, përpos në kundërshtim me ligjin, është kryekëput kundër normave dhe standardeve evropiane.
Qeveria e PDK-së, e njohur për sloganet e pafundme për standarde në shkollat tona dhe integrime evropiane, ndryshe flet e ndryshe vepron. Vetëm nga Shtëpia botuese Albas, nga 23 tekste të miratuara nga MASHT-i, 22 teksteve, pa asnjë të drejtë, nuk u lejohet përdorimi në shkolla. Nga tekstet që ka botuar kjo shtëpi, nuk janë nxjerrë nga përdorimi tekstet për shkollën e mesme të lartë, të cilat nuk i blen Qeveria.
Këto veprime tejet të dyshimta të Qeverisë provohen me rastin e librit Leximi për klasën VI, të botuar nga Albas, i cili është i vetëm, pra nuk ka tekst tjetër, ndërsa Qeveria e detyron botuesin që këtë tekst tia shesë një botuesi të dytë, Shtëpisë botuese Libri shkollor, me ulje prej 30%, që pastaj Libri shkollor ta shpërndajë në shkollat e vendit. Kjo ngjall dyshime individë të caktuar në Ministrinë e Arsimit e kanë marrë ligjin në duar dhe sillen vetëm në qarkun e interesave të veta.
Politikat patriotike për libra të njëjtë në shkollat e Kosovës me ata të Shqipërisë, ministri i Arsimit, z. Ramë Buja, i bëri publike në Tiranë, por Ministria që drejton ai nga Prishtina qysh tani i përjashton librat e përbashkët, të hartuar nga autorë nga Kosova e Shqipëria.
Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se librat për shkollën fillore dhe për shkollën e mesme të ulët, për të cilët Qeveria thotë se po i shpërndan falas, blihen shtrenjtë, me paratë tona, me paratë e taksapaguesve. Madje, Qeveria po blen në kundërshtim me Ligjin dhe pa kurrfarë transparence.
Po ashtu, është vërejtur që, këtë fillimviti, në shumë shkolla, nxënësit kanë marrë libra të përdorur në vitet e mëparshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria duhet të bëjë publike procedurat e blerjes, sepse ky është obligim ligjor dhe obligim ndaj atyre me paratë e të cilëve blen libra. Kjo gjë duhet të fillojë me kërkesën ndaj botuesve për të vënë çmimin e librave në kopertinë, meqë edhe kjo mungesë e papranueshme ngjall dyshime për çmimet e vërteta.
Lidhja Demokratike e Kosovës bën thirrje për transparencë, respektim të Ligjit e të standardeve për konkurrencë e mundësi zgjedhjeje, si standarde moderne të shkollës e të shoqërisë evropiane.