23 Dhjetor 2024

LDK kërkon normalizimin e situatës me shkollat e Prishtinës

Prishtinë, 10 shkurt - Lidhja Demokraitke e Kosovës (LDK) ka kërkuar largimin e aktivistëve të Vetëvendosjes nga zyrat e komunës dhe normalizimin e menjëhershëm të situatës me shkollat e Prishtinës.  

Halim Halimi kryesues i Kuvendit të komunës së Prishtinës ka thënë se ka thirrur këtë konferencë me media për të adresuar involvimin e aktivistëve të Vetëvendosjes në zyrat e komunës dhe në dokumentacionin zyrtar dhe e dyta është problemi i mbylljes të shkollave. 

Halimi theksoi se LDK-ja vlerëson se Kryetari i Komunës, z. Shpend Ahmeti, e ka mbushur Komunën e Prishtinës me aktivistë të Vetëvendosjes.

"Bazuar në informacionet që kemi, Ahmeti që nga java e parë e janarit 2014, me një grup personash – aktivistë “Vetëvendosje”, po keqpërdorin dokumentet komunale. Në të gjitha drejtoritë komunale, ata pa asnjë autorizim ligjor kanë konfiskuar dokumentet zyrtare, të cilat po i trajtojnë sipas qëllimeve të tyre, në interes të Shpend Ahmetit dhe “Vetëvendosjes”."

"Ne dyshojmë se dokumentet zyrtare të Komunës së Prishtinës po trajtohen jashtëligjshëm. LDK-ja është e shqetësuar për këtë dukuri joligjore dhe shpreh indinjatë të thellë për veprime të tilla, që mund të pasojnë me shmangie, zhdukje dhe futje të dokumenteve të paqena, si edhe falsifikime", ka thënë Halimi.

LDK-ja ka siguruar emrat e disa prej tyre. Në drejtorinë e financave janë angazhuar Blendi Hasaj dhe Edi Muhaxheri. Në drejtorinë e inspekcionit janë angazhuar Salih Zyba, Arbër Hamiti, Enkela Gjata dhe Zana Gojani. Edhe në drejtoritë e tjera ka persona të pautorizuar që kanë qasje në dokumentacion. 

Halimi ka thënë se Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti, çdo ditë e më shumë po reflekton joseriozitet, papërgjegjshmëri dhe po shkon drejt anarkisë.

"Se Ahmeti nuk i respekton ligjet e Republikës së Kosovës, dëshmohet edhe me rastin e dhënies së urdhrit për mbylljen e shkollave të Prishtinës, edhe pse ai nuk ka kompetencë për ta bërë një gjë të tillë bazuar në ligjin për arsim parauniversitar në Republikën e Kosovës (neni 8, pika 6.1., kundërt të tjera thuhet “Ministria mund ta ndërpresë punën e institucioneve arsimore të cilat nuk janë të licencuara apo veprojnë në ambiente të pasigurta dhe të pashëndetshme”)", ka theksuar Halimi.

Çështja e ndërprerjes së mësimit në shkolla është e paraparë edhe me ligjin për inspekcionin e arsimit në Kosovë, ku kompetencat për ndërprejrjen e mësimit i ka inspekcioni arsimor që është në kuadër të MASHT-it. Ky ligj shprehimisht parasheh se inspektorët e arsimit mund të ndalojnë punën e institucioneve arsimore, të cilat nuk kanë siguruar kushte normale për organizimin e mësimit (siç është dezinfektimin e objektit, pastërtinë, ujin, nyjet sanitare, ngrohjen normale dhe mjetet e domosdoshme mësimore).

Lidhja Demokratike e Kosovë kërkon nga Komuna e Prishtinës që të respektojë ligjet dhe institucionet e vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu, kërkon nga MASHT-i që të ushtrojë kompetencat që ka dhe të mos i kontibuojë më tej anarkisë që ka përfshirë Komunën e Prishtinës me rastin e vendimit joligjor dhe të motivuar politikisht të Kryetarit të  Komunës për mbylljen e shkollave.

Lidhja Demokratike e Kosovës i fton qytetarët e Prishtinës që të reflektojnë me qetësi përballë kësaj situate.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të hetohet nga organet përkatëse vendimi për mbylljen e shkollave dhe moslejimi për t’i hapur ato.

Halimi ka pohuar se po shqyrtojnë të thërrasim seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Konmunës së Prishtinës për shkeljet ligjore që po i bënë në vazhdimësi udhëheqja e Komunës së Prishtinës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)