LDK-ja shprehet kundër fesë në shkolla
Prishtinë, 2 shtator - Kosova është shtet laik dhe sistemi arsimor është i rregulluar me Kushtetutë dhe qytetarët e saj nuk vlerësojnë se duhet të jetë ndryshe, qoftë edhe për futjen e lëndës fetare në shkolla.
Kështu është deklaruar kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, njëherit edhe kryetar i forcës së dytë politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u bërë pjesë e debatit për mosndryshimin e ligjit për arsimin parauniversitar në Kuvendin e Kosovës dhe për futjen e lëndës fetare në shkolla.
Edhe sistemi arsimor është sistem i cili rregullohet me kushtetutë, e nëqoftëse qytetarët e Kosovës vlersojnë se duhet bërë ndryshe atëherë ne të gjitha ato do ti përcaktojmë me aktin më të lartë të vendit më Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërkaq po ashtu duhet të sigurojmë kushtet që liria fetare të ketë liri por të jetë e ndarë nga shteti, deklaroi Mustafa.
Në anën tjetër, ditë më parë Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar duke mos e pëlqyer idenë e komunës së Prishtinës për ndërtimin e një xhamie afër Postës dhe Telekomit të Kosovës. Njëri nga vendet e preferuara të BIK-ut është që xhamia të ndërtohet përballë Institutit Albanalogjik dhe pak metra larg qendrës studentore. Por, i pari i Prishtinës ka thënë se ndërtimi i xhamisë në qendër është i pamundur për shkak se keto vende janë të vogla.
Do t`iu japim leje kudo që ata sigurojnë lokacion, nëse kanë kushte ta blejnë edhe Hotel Grandin, por si komunë nuk kemi kushte, tha kreu i Komunës së Prishtinës dhe LDK-së, Isa Mustafa.
Sipas Mustafës, nëse ka pretendime për ndërtimin e një xhamie të madhe monumentale atëherë ajo do të bëhet në Prishtinën e Re, ku është ndarë një lokacion i përshtatshëm.