LDK-ja do ta dyfishojë buxhetin për arsim
Prishtinë, 15 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka prezantuar të enjten programin qeverisës në fushën e arsimit dhe të shkencës, sipas të cilit parashihet dyfishimi i buxhetit për arsim dhe shkencë, ndërlidhja e sektorit të arsimit me kërkesat e tregut për punësim, depolitizim të këtij sektori dhe arritja e standardeve evropiane.
Programi qeverisës i LDK-së për arsim dhe shkencë, ka marrë parasysh orientimet themelore të LDK-së si parti e qendrës së djathtë, përcaktimin që bën programi politik i LDK-së, rrethanat e sistemit të arsimit në Kosovë, si dhe synimet për të arritur standarde të tjera dhe për të arritur standardet evropiane, ka thënë kryetari Mustafa.
Ai ka shtuar se Programi për arsim dhe shkencës përmban analizën dhe propozon një numër të madh veprimesh sistematike për të zgjidhur problemet themelore, dhe për të arritur standardet e synuara në fushën e arsimit dhe të shkencës.
LDK për të arritur këtë do të krijojë gjithë infrastrukturën ligjore, do të dyfishojë buxhetin dhe do të reformojë sistemin e arsimit dhe të dijes në të gjitha nivelet. Ne synojmë të ndërtojmë një shoqëri të dijes të integruar në rrjetin dhe në rrjedhat evropiane. LDK do të ndërtojë një sistem arsimor gjithëpërfshirës në përputhje me kërkesat e tregut, ka thënë Mustafa.
Ai ka propozuar që të bëhet decentralizimi i përgjegjësive në sektorin e arsimit për të krijuar politika koherente për zhvillim të këtij sektori në harmoni me specifikat e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.
Programi qeverisës i LDK-së, parasheh depolitizim të sektorit të arsimit, sidomos atij universitar.
Universiteti i Prishtinës do të trajtohet në veçanti dhe do të depolitizohet, ndërsa do të ofrojmë mbështetje edhe për universitetet e reja publike, ka thënë kryetari i LDK-së, duke shtuar se me anë të një ligji, kolegjet jopublike do të trajtohen si universitete.
Plani i LDK-së për arsim dhe shkencë parasheh edhe krijimin e institucioneve të reja shkencore dhe arsimore, si dhe ndërtimin e shkollave në periferi të qyteteve ku ka më tepër kërkesa dhe hapësirë për ndërtimin e tyre.
LDK-ja parasheh vendosje të standardeve të arritshmërisë, zhvillim i politikave për aftësimin e kuadrove të reja, ndërsa organizimi e provimit të maturës do të bëjë konform standardeve evropiane.
Një popullsi me arsimi të lartë cilësorë do të gjenerojë punësim dhe do të inkurojajë investimet e jashtme, ka thënë Mustafa.