LB: PISA nuk e zbulon gjendjen e rëndë vetëm në arsim
Prishtinë, 8 dhjetor - Lëvizja për Bashkim vlerëson se rezultatet e testit ndërkombëtar PISA nuk është se kanë shpërfaqur diçka të re.
Gjendja e rëndë në arsim, është produkt i eksperimenteve të vazhdueshme me sistemin arsimor, politizimin e skajshëm të tij si dhe moszbatimin e ligjit.
Lëvizja për Bashkim, gjendjen në arsim e konsideron problem shumë kompleks për zgjidhjen e të cilit nuk mjaftojnë vetëm reformat në këtë fushë, qofshin ato edhe më të qëlluarat dhe më të suksesshmet.
\"Krahas këtyre reformave është e domosdoshme që të punohet seriozisht në përmirësimin e gjendjes në rrafshin e sundimit të ligjit.\"
\"Që kjo të ndodhë, Lëvizja për Bashkim konsideron se është jetike ekzistenca e vullnetit politik për depolitizimin e sistemit arsimor e atij të drejtësisë dhe vendosjen e profesionalizmit dhe ndershmërisë në vend të interesit individual e grupor.\"
Lëvizja për Bashkim i thërret të gjithë faktorët politikë relevantë dhe të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore që rezultatet e këtij testi ti lexojmë me shqetësim dhe që bashkërisht, duke bërë përpjekje që kjo çështje të trajtohet me konsensus shoqëror, të gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë.