Lansohet projekti Harmonizimi i arsimit me kërkesat e tregut të punës
Prishtinë, 23 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në lansimin e projektit Harmonizimi i arsimit me kërkesat e tregut të punës, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe me bashkëfinancim të MAShT.
Qëllimi i këtij projekti është ndërlidhja në mes të arsimit dhe tregut të punës, si parakusht për përmirësim të kushteve për punësim dhe zhvillim ekonomik.
Ministri Bajrami, me këtë rast, theksoi se përmes këtij projekti do të arrijmë të aftësojmë strukturat e brendshme të fakulteteve në harmonizimin e programeve konform nevojave të tregut të punës. Hapja dhe forcimi i cilësisë së programeve studimore dhe lidhjes së sistemit të arsimit me tregun e punës është parakusht për punësueshmëri dhe zhvillim ekonomik.
Ndër të tjera, ministri Bajrami vlerësoi se fokusi i këtij projekti do të jetë promovimi i politikave qe stimulojnë studentët të orientohen në degë të rëndësishme strategjike për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, me fokus të veçantë në shkencat ekzakte: bujqësi, inxhinieri dhe mjekësi.
Një angazhim i veçantë do ti kushtohet përmirësimit të cilësisë së mësimit praktik dhe mësimdhënien dhe mësimnxënien aplikative në edukim.
Projekti do të angazhohet në fushën e arsimit të lartë, në vlerësimin e nevojave të tregut të punës, në rishikimin e programeve studimore për tiu përshtatur nevojave të tregut të punës me theks në shkathtësi dhe kompetenca, në ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të praktikave të mira për stafin menaxherial dhe akademik të fakulteteve të edukimit, me qëllim të modernizimit të kurrikulave për përgatitje të mësimdhënësve.
Projekti do të ofrojë mbështetje edhe në trajnim dhe ngritje të kapaciteteve për shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional në të gjitha aspektet e zhvillimit të kualifikimeve, përfshirë përgatitjen e specifikave të kualifikimeve, zhvillimin e strategjive për vlerësim, si dhe pilotimin e kualifikimeve të nivelit të arsimit të mesëm në sektorët prioritar të tregut të punës.
Ndërsa, znj. Sophie Beaumont nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se, është e dukshme se programet mësimore në Kosovë në tërësi janë më shumë teorike se sa praktike, andaj ky projekt do të arrijë që të lehtësojë këtë, duke ofruar aftësim për tregun e punës.
Projekti Harmonizimi i arsimit me kërkesat e tregut të punës (Kosovë) ka për qëllim të arrijë tri rezultate kryesore: të përmirësojë ndërlidhjen në mes të arsimit të lartë dhe kërkesave të tregut të punës, të sigurojë zbatim të suksesshëm të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, si dhe të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies praktike dhe të aplikuar.