Lansohet programi i ri i BE-së për Arsimin e Lartë Erasmus +
Erasmus + është vazhdimësi e programit Tempus për arsimin e lartë. Ai është një program që sjell së bashku të gjitha skemat aktuale ndërkombëtare të BE-së për arsim, trajnim, rini dhe sport, duke zëvendësuar kështu shtatë programet ekzistuese me një program të vetëm.
Programi Erasmus+ do të ketë gjithashtu skemë bursash dhe lëvizshmëri për arsimin e lartë - Erasmus Mundus. Ideja e konsolidimit të këtyre skemave të ndryshme financuese është rritja e efikasitetit, lehtësimi i aplikimit për grante, si dhe zvogëlimi i dyfishimit dhe ndarjes.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja i cili mori pjesë në konferencën Dita Informative Erasmus +, me çrast theksoi se institucionet e Arsimit të Lartë kanë fituar projekte deri më sot, duke llogaritur programin Tempus dhe tash Erasmus + 60, gjë që është inkurajuese për avancimin e arsimit të lartë, në aspektin cilësor dhe organizativ.
Vitin e kaluar kemi fituar 11 programe dhe duhet veçuar dy prej tyre; që janë njëri për pavarësimin financiar të institucioneve të arsimit të lartë dhe tjetri për organizimin studentor në avancimin e mësimit dhe organizimit (është fjala për Unionin Studentor të Kosovës), është shprehur ministri Buja.
Ministri Buja tha se MAShT vazhdon të jetë shumë e interesuar që të ndihmojë institucionet e arsimit të lartë për të qenë aplikues të denjë me programe.
Unë ju inkurajoj edhe sivjet që të jeni këmbëngluës, për të fituar këto projekte serioze, ashtu siç i kemi fituar edhe më parë. Kemi nevojë që kjo ndihmesë të na vijë në mënyrë të vazhdueshme, theksoi ministri Buja.
Ky program ka një mbulim rajonal për Ballkanin Perëndimor me vlerë 30 milionë euro. Megjithatë, për dallim nga Tempus, këtu nuk do të ketë shumë të rezervuar specifike për Kosovën. Kjo do të thotë se institucionet e arsimit të lartë në Kosovë do të duhet të konkurrojnë me universitetet në mbarë Ballkanin.
Duke e paraqitur këtë program, Christof Stock, shefi për bashkëpunim i Zyrës së BE-së/PSBE-së tha: "Zyra e BE-së është e interesuar që të shohë se si ky investim që kemi bërë përmes programit Erasmus+ mund të ndihmojë dhe ti shtojë vlerë investimit që do të bëjmë përmes programit kombëtar të IPA-s për Kosovë."
"Me programin e ri IPA II, fokusimi do të jetë në mbështetjen e strategjive të sektoreve. Ne do ti kushtojmë vëmendje promovimit të zhvillimit të kapaciteteve në sektorët përkatës, të tregut të punës dhe në zhvillimin e kapaciteteve teknike. Ne dëshirojmë të promovojmë angazhimin e punëdhënësve dhe të komunitetit afarist në arsim."
Helen Skikos nga Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit për Arsim tha: "Programi i ri ERASMUS + do të kërkojë projekte që ofrojnë relevancë, ndikim dhe qëndrueshmëri në përputhshmëri me strategjitë e arsimit të lartë. Programi i BE-së do të vazhdojë të ofrojë bursa për studentë."