Lahu: Për një orë të humbur, mësimdhënësve tu ndalen 5 euro
Prishtinë, 4 gusht - Asambleisti i Partisë së Drejtësisë, në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Ermal Lahu, ka kërkuar nga organet kompetente aplikimin e masave disiplinore ndaj mësimdhënësve të cilët mungojnë gjatë procesit mësimor.
Lahu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, ka propozuar që për çdo orë të humbur mësimdhënësve tu ndalen nga 5 euro.
Për mungesa të pa arsyeshme për një orë mësimore të aplikohet ndalesa në të ardhura personale në vlerë më të lartë se 5 euro, për arsye se, një orë e humbur nuk mundë të kompensohet, dhe se nuk e shoh të arsyeshme e as të logjikshme të jetë më e ulët se ndalesa për kujdestari dhe për mungesa në mbledhje, ka pohuar Lahu.
Sipas tij, kjo do të ndikonte sadopak në vijimin e rregullt të orëve mësimore nga disa mësimdhënës të papërgjegjshëm, të cilët po bëjnë mungesa të paarsyeshme.
Mirëpo, me shumicën e votave, në fund u miratua propozimi që gjoba për mësimdhënësit që shkelin rregulloren e punës të jetë në proporcion me pagën.