Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt kërkon ndëshkim ndaj diskriminimit
Ferizaj, 12 tetor - Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt është shqetësuar ndaj ngjarjes së fundit, të diskriminimit të një nxënësi duke i’u mohuar e drejta në arsim, në kundërshtim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar.
Largimi i fëmiut nga drejtoresha e Sh.F.M.U “Jeronim De Rada” është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-032 të Arsimit Parauniversitar dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, pasi ky vendim për largimin e fëmijës është marrur mbi bazën e dukjes së tij fizike.
Sipas nenit (47), paragrafi (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkolla duhet të siguroj për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij.
Sipas Nenit (40), Parimi i arsimit gjithëpërfshirës, të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, institucionet arsimore duhet të akomodojnë të gjithë fëmijët, pa dallim të kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore apo të tjera dhe duhet të promovojë integrimin, dhe kontaktin mes fëmijëve.
Poashtu sipas nenit (2), të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, institucionet shtetërore duhet të marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që fëmija të jetë efektivisht i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit ose ndëshkimit, për shkak të pozitës, veprimtarive, opinioneve të shprehura ose bindjeve të prindërve të tij, të përfaqësuesve të tij ligjorë ose të anëtarëve të familjes së tij.
Ky veprim nga Menaxhmenti i Shkollës për Kuvendin e të Rinjve të Ferizajt konsiderohet diskriminues, sepse shkel në thelb liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.