Kuvendi i Gjilanit miraton vendimin për ndarjen e 200 bursave për studentë
Gjilan, 19 tetor - Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 200 bursave për studentët e kësaj komune, për vitin akademik 2019/2020, duke u bërë Komunë kampion në Kosovë sa i përket mbështetjes së studentëve.
Sipas këtij vendimi, 100 bursa, në lartësi prej 60 € ndahen për studentët e Gjilanit, të cilët studiojnë në universitetet e Kosovës jashtë kësaj komune, ndërkaq 100 të tjerë, në lartësi prej 40 € ndahen për studentët e Gjilanit, të cilët studiojnë në universitetet brenda kësaj komune.
Përzgjedhja e studentëve përfitues të bursave do të bëhet nga Komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës, në bazë të konkursit të shpallur nga Drejtoria për Arsim dhe kritereve për ndarjen e bursave, të miratuara nga komisioni përkatës.
Mjetet financiare për bursa ndahen nga Buxheti i Komunës së Gjilanit nga subvencionet e Drejtorisë për Arsim.
Në të vërtetë komuna e Gjilanit ka siguruar mjete shtesë, me qëllim të rritjes së numrit të përfituesve.
Duke marrë parasysh numrin e madh të studentëve të cilët studiojnë në universitetet brenda dhe jashtë Komunës së Gjilanit, kërkesat e shumta për bursa si dhe duke marr parasysh gjendjen e krijuar nga pandemia Covid 19, Drejtoria Komunale e Arsimit, në konsultim me Kryetarin e Komunës dhe Drejtorinë për Buxhet e Financa, ka siguruar mjete shtesë financiare për rritjen e numrit të përfituesve.
Për këtë arsye, Kuvendi bëri plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të datës 29.09.2020. Sipas vendimit paraprak ishte paraparë ndarja e 75 bursave.
Me gjithë vërejtjet e opozitës sa i përket procedurave të ndryshimit të vendimit paraprak, kritereve, lartësisë së bursës dhe të tjera, Kuvendi votoi në mënyrë unanime për ndarjen e 200 bursave për studentë.
Gjilani, siç u tha në debat, është Komuna e parë në Kosovë që ndanë numër kaq të madh të bursave për studentë, madje më shumë se edhe Prishtina, gjë që dëshmon përkushtimin e kryetarit Haziri dhe autoriteteve të këtushme arsimore për të investuar në shkollimin e brezit të ri.