04 Maj 2024

Kryetari Veseli mbolli fidane në oborrin e Qendrës së Studentëve

Prishtinë, 22 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një vizitë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, gjatë të cilës takoi drejtues të kësaj qendre dhe studentë, ndërkaq për nder të Ditës së Tokës, mbolli fidanë në oborrin e konvikteve.

Fillimisht, kryetari Veseli u prit në takim nga drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, i cili e informoi atë me sfidat dhe problemet me të cilat përballet kjo qendër gjatë punës së saj të përditshme.

Kryetari Veseli u interesua për kushtet që kjo qendër ofron për studentë dhe shtroi nevojën e një përkushtimi maksimal për të plotësuar nevojat e të gjithë atyre që shfrytëzojnë shërbimet e saj.

“Është obligim yni që të ofrojmë kushte sa më të mira për studentët tanë, si në studim, ashtu edhe në konvikte dhe mensë”, theksoi kryetari Veseli.

I shoqëruar nga drejtori Sfishta dhe përfaqësues të studentëve, kryeparlamentari Veseli vizitoi palestrën e sporteve në kuadër të qendrës dhe ndoqi drejtpërdrejt momente nga një ndeshje futbolli ndërmjet dy skuadrave studentore.

Më pas, kreu i Kuvendit të Kosovës vizitoi edhe bibliotekën, në të cilën takoi studentë dhe u interesua për kushtet që ajo ofron, si dhe për nevojat eventuale të saj për përmbushjen e kushteve të leximit e të studimit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjodhi pikërisht Qendrën e Studentëve për të mbjellë fidanë me rastin e Ditës së Tokës.

Pas mbolli një pemë në oborrin e konvikteve, kryeparlamentari Veseli e cilësoi ditën e sotme një ditë sensibilizuese për të krijuar një ambient sa më të mirë e të shëndetshëm për të gjithë.

“Mbolla sot një pemë, e cila do të lulëzojë në vendin e lulëzimit të dijes. U njoftova se kjo është pema e njëmijtë që po mbillet në ambientet e Qendrës së Studentëve”, tha me këtë rast kryetari Veseli. Për studentët, ndërkaq, kryetari i Kuvendit përçoi mesazhin që t’i përkushtohen studimit dhe dijes, sepse, siç u shpreh kryetari Veseli, ata janë kategoria më e vlefshme e shoqërisë, e cila i duhet më së shumti vendin tonë për të ecur përpara.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)