Kryetari i Gjilanit ka vizituar Universitetin Kadri Zeka
Prishtinë,7 korrik - U.D. Rektori i Universitetit të Gjilanit Kadri Zeka, së bashku me Prorektorët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të universitetit ka pritur në një takim kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Rektori Naim Syla dhe kryetari Lutfi Haziri kanë biseduar kryesisht për fillimin e regjistrimin e studentëve, pasi Universiteti i Gjilanit është i pari në nivel vendi që e ka shpallur konkursin për pranim të studentëve të rinj. Me ketë rast, Lutfi Haziri, kryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit ka kërkuar nga përfaqësuesit e Universitetit Publik Kadri Zeka që të përfshihen sa më shumë edhe studentët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga Kumanova.
Nga ana e tij u.d. Rektori Naim Syla ka thënë se Universiteti i Gjilanit Kadri Zeka krahas studentëve nga rajoni i Gjilanit, krijon hapësirë të mjaftueshme për studentët edhe nga Lugina e Preshevës. Në përgatitje për pranimin e studentëve të rinj, janë paraparë edhe kuota të veçanta për studentë nga Lugina.
Po ashtu, në këtë takim kryetari Haziri dhe rektori Syla kanë diskutuar edhe për fillimin e ndërtimit të kampusit universitar në kazermën e FSK-së.
Kjo do të bëhet në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e FSK-së. Ndërtimi i kampusit universitar është i domosdoshëm në Gjilan si për qytetarët tanë dhe të Anamoravës, e po ashtu edhe të qytetarëve tanë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës si dhe të Kumanovës, është thënë ndër tjerash gjatë takimit mes Naim Syla u.d. Rektor i Universitetit të Gjilanit Kadri Zeka dhe Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.