22 Dhjetor 2024

Kriza ndikon tek arsimi në Spanjë

Madrid, 21 shtator - Studentët dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Spanjë filluan shkollën ndërsa Spanja është prekur nga kriza ekonomike që ka prekur edhe arsimin.

Siç njofton Zëri i Amerikës, humbja e subvencioneve dhe kostot në rritje të arsimimit janë duke u ndjerë gjithashtu në ekonomitë e tjera evropiane me probleme.

Antonio Caseado qëndron në radhë para zyrës së papunësisë. Pasi punoi dy vjet si mësues zëvendësues në një shkollë të mesme, tani ka mbetur pa  punë.

Antonio  Caseado është një nga 4 mijë mësuesit në provincën e Andaluzisë të Spanjës që është pushuar nga puna si rezultat i shkurtimit me 21 përqind të buxhetit, pjesë e masave shtrënguese të miratuara në pranverë.

Sindikatat llogarisin se dhjetra mijëra mësues të shkollave fillore dhe të mesme e gjejnë veten në pozitat e Antonio Caseados. Ata që vazhdojnë ta kenë vendin e punës, kanë orë më të zgjatura dhe në disa rajone, numri i studentëve në klasa është rritur. 
Sindikata më e madhe e punëtorëve në Spanjë është e shqetësuar se këto nuk janë thjesht masa të përkohshme për të rregulluar financat e vendit.

Manuela Martínez drejton sindikatën e përgjithshme të punëtorëve në Granada.

“Qeveria po përpiqet të ndryshojë sistemin e arsimit. Ata po përdorin krizën si një pretekst për të bërë atë që po bëjnë. Në se vazhdojnë, asnjë në Spanjë nuk do ta dallojë atë që kishim më parë.”

Por ka edhe një problem tjetër. Shkurtimet e subvencioneve për tekstet dhe për ushqimin, së bashku me rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar, e kanë bërë kthimin në shkollë shumë të shtrenjtë për familjet.
 
Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve vlerëson se prindërit do të duhet të shpenzojnë mesatarisht rreth 670 dollarë për fëmijë.
 
Spanjollët që kërkojnë të ndjekin arsimin e lartë do ta ndjejnë ndikimin. Programet e bursave janë pakësuar dhe pagesat në universitetet publike janë rritur deri në 50 për qind në disa vende.

Problemi rëndohet më tej pasi rreth 20 për qind e spanjollëve të papunë janë të diplomuar. Organizata për Zhvillimin Ekonomik thotë se Spanja shpenzon për arsim rreth 21 për qind më shumë se mesatarja e vendeve anëtare të organizatës, por nxënësit spanjollë kanë disa prej rezultateve më të këqija në provimet ndërkombëtare.
 
Një raport i fundit i kësaj organizate paralajmëron për pasojat e shkurtimeve të mëtejshme në arsim. Zëvendës drejtori për Arsimin Andrea Schleicher, thotë se kriza thekson nevojën për më shumë punëtorë të kualifikuar.

\"Gjatë dekadës së kaluar, më shumë se dy të tretat e rritjes ekonomike në Bashkimin Evropian është nxitur nga të ardhurat e punësimit. Kjo do të thotë nga aftësitë më të mira.\"

Ai shton se kjo ka nxitur rritje në shumicën e vendeve të BE-së, madje edhe në mes të recesionit.
 
Por edhe në qoftë se arsimi i lartë mund të jetë çelësi për të zbutur pasojat e krizës, të tjera vende të zhytura në borxhe si Spanja, kanë zgjedhur të zvogëlojë shpenzimet në këtë fushë.
 
Greqia ka shkurtuar buxhetin e arsimit me 23 për qind që nga viti 2009.
 
Italia i ka pakësuar bursat universitare me 90 për qind dhe ka pushuar nga puna më shumë se 100 mijë mësues, megjithëse masa më të thella u shmangën nga protestat e gjera në vitin 2010.
 
Dhe, Sindikata e Studentëve Evropianë njofton se mijëra studentë portugezë kanë qenë të detyruar të braktisin shkollën për shkak të pakësimit të shërbimeve mbështetëse

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)