22 Dhjetor 2024

Kriteret për studime Master në UP të papranueshme

Prishtinë, 26 tetor - Asociacioni i të Diplomuarave në Institucionet Private të Arsimit të Lartë (ADIPAL) ka përshëndetur vendimin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për pranimin e studentëve të kolegjeve private në studime posdiplomike-master në UP, mirëpo ka shprehur shqetësim për kushtet që UP-ja i ka vënë studentëve të kolegjeve private.

Kjo pasi, sipas ADIPAL, në konkursin e shpallur më 24 tetor për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve postdiplomike, studentët duhet t’i nënshtrohen provimit pranues si dhe pas regjistrimit duhet t’i japin edhe pesë provime pranë një komisioni tre anëtarësh, në mënyrë që ta fitojnë të drejtën për t’i ndjekur studimet postdiplomike-master në UP.

“Për ADIPAL-in ky kushtëzim është i papranueshëm dhe konsiderojmë se është irracionale që studentët e këtyre kolegjeve, përveç, provimit pranues t`i nënshtrohen edhe pesë (5) provimeve të tjera të cilat i kanë kaluar gjatë studimeve themelore (bachelor), sidomos kur dihet që programet e këtyre institucioneve arsimore (publike e private) janë të akredituara nga institucioni i njëjtë, pra nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AAK)”, thuhet në reagim.

Ata kërkuan nga rektorati i UP-së, që ta rishqyrtojë edhe një herë vendimin e tij dhe të dalë me një vendim të ri, jodiskriminues i cili do t’i trajtonte të barabartë studentët e kolegjeve private me ata të UP-së, siç e parasheh edhe Ligji mbi Arsimin e Lartë dhe aktet të tjera ndërkombëtare.

Ndryshe, studentë të kolegjeve private të cilët kanë shprehur interesim për vazhdimin e studimeve Master në UP, gjegjësisht në Fakultetin e Edukimit kanë bërë të ditur se atyre po u kërkohet edhe një vit përvojë pune.

Kjo sipas tyre është absurde që për vazhdimin e shkollimit, gjegjësisht për studimet Master të jetë kriter një vit përvojë. Ata theksuan se kjo kërkesë ia mohon atyre të drejtën e shkollimit të mëtejmë.

“Kandidatët që konkurrojnë për Programet Master në Fakultetin e Edukimit duhet të kenë të përfunduar studimet themelore 240 ECTS dhe të dëshmojnë se kanë një vit përvojë pune në arsim”, thuhet në konkurs. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)