Krijohet rrjeti i të rinjve dhe rtudentëve të Kroacisë dhe Sllovenisë
Në prani të rreth 25 përfaqësuesve të shoqatave, klubeve të ndryshme, individë dhe aktivistë, u krijua rrjeti i përbashkët i dy shteteve fiqnje, Kroacisë dhe Sllovenisë, me organet drejtuese si dhe shtatë delegatë anëtarë të kryesisë së Rrjetit të përzgjedhur nga qytetet e ndryshme të Kroacisë dhe Sllovenisë.
Kryetare e Rrjetit u zgjodh Gentiana Fana, për gjashtëmujorin e parë të funksionimit, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë kryesinë do ta marrë përsipër Laura Seferaj nga Ljubljana.
Takimi u organizua në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb dhe Klubin e Studentëve të Zagrebit.
Gjatë diskutimit u shtruan shumë çështje rreth qëllimit, formës dhe objektivave të rrjetëzimit rinor dhe atij studentor, ndërsa iniciativa mori përkrahje dhe përkushtim për ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zagreb.
Procesi i krijimit të Rrjeteve ka për qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit mes të rinjve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, si dhe angazhimin e tyre të përbashkët për realizimin e projekteve të ndryshme që kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe historisë sonë, shkëmbimin e përvojave si akademike, ashtu edhe shkencore me studentë e mësimdhënës në Republikën e Kosovës e të Shqipërisë, si dhe promovimin e shtetit të Kosovës, si shtet me një rini që është ndër resurset e saja kryesore.
Në të ardhmen e afërt rrjetëzimi do të vazhdojë edhe në vendet tjera si, Belgjika, Suedia, Norvegjia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, ShBA dhe Kanada.