Kosova vendi i parë në rajon që digjitalizon Provimin e Maturës
Prishtinë, 19 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja, Manfred Brandner, menagjer i kompanisë Austriake BIT , nënshkruan marrëveshje për implementim të projektit : Modernizimi i sistemit arsimor në Kosovë përmes mësimit elektronik dhe digjitalizimit të Provimit të Maturës.
Qëllimi projektit është implementimi i rekomandimeve të strategjisë Agjenda Digjitale për Evropë , e Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë.
Ministri Buja me këtë rast ka falënderuar institucionet larta të Austrisë dhe kompaninë BIT ( nga Austria ) dhe Qeverinë e Kosovës e cila ka ndarë ( 5 milion euro) për këtë qëllim dhe ka mundësuar siç tha ministri Buja, ta bëjmë hapin historik, digjitalizimin e maturës.
Me këtë projekt ne bëjmë digjitalizimin e maturës shtetërore , digjitalizimin e teksteve e programeve , realizimin e portalit elektronik dhe çështje tjera tha ministri Buja i cili njëherësh theksoi se Kosova tashmë do të jetë vendi i parë në rajon që bënë digjitalizimin e maturës shtetërore, ka thënë ministri Buja.
Në vazhdim ministri Buja tha se me komponentët që ka projekti do të realizohet edhe portali mësimorë që është pjesë e kësaj Agjende Digjitalizuese e Komisionit Evropian dhe krejt kjo do të na mundësoi të flasim për cilësinë tek matura , për cilësinë tek mësimi elektronik dhe cilësia në arsimin e përgjithshëm theksoi ministri Buja.
Ndërsa Gernot Grimm, udhëheqës i ekipit për Transfer të Teknologjisë dhe Njohurive Shkencore në Ministrinë së Arsimit të Austrisë tha se për ne ishte qenësore që të realizojmë një projekt të rëndësishëm në kuadër të marrëdhënieve të mira bilaterale që kemi. Austria është një prej 3 shteteve të para në botë sa i përket qeverisjes elektronike, ndërsa firma BIT nga Graci i Austrisë e cila fitoi tenderin ndërkombëtarë për këtë projekt , është ndër më të suksesshmet andaj jemi shumë të bindur në cilësinë e realizimit të projektit tha Grimm.
Një fjalë rasti mbajti edhe z Manfred Brandner , menagjer i kompanisë BIT i cili tha se standardizimi i sistemit arsimor si dhe përkrahja dhe përforcimi i kompetencave qenësore është pjesë qenësishme e politikës arsimore në BE të cilën dëshirojmë ta përkrahim dhe ta nxisim edhe në Kosovë dhe shtoi se do të mundohemi ta realizojmë projektin duke ju përshtatur edhe nevojave që janë këtu tha Brandner.
Ndryshe periudha e realizimit të projektit është 36 muaj duke filluar nga fundi marsit 2013.