Kosova ofron mundësi studimi për të rinjtë shqiptarë të Malit të Zi
Prishtinë, 13 korrik - Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa me bashkëpunëtorë, priti përfaqësuesit e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, deputet në Parlamentin e këtij vendi dhe Tahir Tahiri, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Temë e bisedimeve qe bashkëpunimi reciprok në fushën e arsimit, përkatësisht krijimi i mundësive për studentët shqiptarë të Malit të Zi, të interesuar për shkollim të lartë në Kosovë.
Zëvendësministri Mustafa tha se si çdo herë, edhe sivjet mbetemi të përkushtuar dhe të hapur që të ofrojmë mundësi studimi në universitet tona publike në Prishtinë, Prizren dhe në Pejë, për të rinjtë shqiptar nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët.
Duke folur për kushtet dhe numrin e studentëve (kuotat), që do të merren parasysh, z. Mustafa tha se studentët të cilët do të konkurrojnë në universitet publike të Kosovës duhet tu nënshtrohen kritereve të cilat do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në konkurrencë me kolegët e tyre prej nga vijnë, në këtë rast në konkurrencë me studentët nga Mali i Zi.
Ndërkaq, në këtë drejtim, Mustafa kërkoi nga mysafirët e tij që të bëjnë një selektim të përafërt apo përcaktim të numrit të studentëve, të cilët do të duhej të mbulonin fusha të ndryshme, fakultete dhe degë të ndryshme sipas nevojës që keni.
Qëllimi është që të krijojmë kuadro të cilat një ditë të kthehen dhe të japin kontributin e tyre profesional në vendin tuaj , tha ai.
Nga ana e tyre, deputeti Bardhi dhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, Tahir Tahiri, thanë se çdoherë Kosova ka qenë pikë referimi dhe mundësi e shkollimit të të rinjve tanë.
Kjo tashmë është akoma më e lehtë edhe në kuptimin fizik pas pavarësimit të Kosovës dhe ndërtimit të Autostradës Shqipëri-Kosovë .
Ne do të angazhohemi që të përcaktohemi për nevojat kadrovike që kemi për çka do tju njoftojmë me kohë për numrin e studentëve, të cilët do të dëshironim të përfshihen në universitetet publike të Kosovës .
Ndryshe, Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Malit të Zi përfshinë tërë spektrin politik organizativ të shqiptarëve në këtë shtet fqinj.