Kosova në nëntor aplikon për kartën e Bolonjës
Prishtinë, 30 prill - Sistemi i arsimit të lartë i Kosovës ka vite që po zbaton kriteret dhe standardet e Procesit të Bolonjës, por vendi ende nuk është anëtar i këtij procesi.
Deri tani është aplikuar dy herë për tu anëtarësuar në Bolonjë, por është refuzuar për arsye se Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur.
Ndërkohë MASHT ka themeluar grupin për përgatitjen e aplikimit në Bolonjë, ku pritet që kjo të bëhet në nëntor të këtij viti.
Kosova pretendon se ka arritur të zbatojë kriteret dhe standardet e procesit të Bolonjës në arsimin e lartë, por ende nuk është anëtare e këtij procesi. Selvie Halimi, këshilltare e ministrit të arsimit Ramë Buja, thekson se sa i përket zbatueshmërisë së kritereve, tashmë Kosova do të duhej të ishte anëtare e Bolonjës, por shprehet se kjo nuk varet nga Ministria e Arsimit.
Aq sa ka peshë zbatimi i standardeve nga një vend në sferën e arsimit të lartë, aq e rëndësishme për apo kundër është segmenti politik. Në rastin e Kosovës peshën kryesore e ka çështja politike. Kusht kryesor është aprovimi i Konventës Kulturore Evropiane e cila duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, theksoi Halimi