Kosova e Turqia nënshkruan marrëveshje për Qendrat Kulturore
Prishtinë, 14 shtator - Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli dhe Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan kanë nënshkruar të premten Marrëveshjen për Themelimin, Funksionimin dhe Aktivitetet e Qendrave Kulturore.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Turqisë nënshkruan marrëveshjen për hapjen e Qendrave Kulturore të Kosovës për Diasporë dhe Mërgatë në Turqi, si dhe ato turke në Republikën e Kosovës.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, marrëveshjen e nënshkroi Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ndërsa në emër të Qeverisë së Turqisë ambasadorja turke në Kosovë, znj.Songul Ozan.
Ministri Makolli tha se "kjo marrëveshje e rregullon dhe është një kornizë e mirë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fushën e kulturës, ku fokusi kryesor i bashkëpunimit përfshinë hapjen e Qendrave Kulturore, fushën e edukimit, shkencës, kulturës, fushën e kulturës, rinisë dhe sporteve.
Ndër të tjera Ministri Makolli theksoi se Ne, edhe njëherë shprehim mirënjohjen e institucioneve dhe qytetareve te Kosovës për përkrahjen që shteti dhe populli turk i ka dhënë dhe po i jap Kosovës në fusha të ndryshme.
Me këtë marrëveshje niveli i bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë shënon fuqizim dhe avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Qendrat Kulturore të Republikës së Kosovës ashtu sikurse edhe parashihet me Ligjin për Diasporën dhe Mërgatën hapen në vendet ku jeton dhe vepron mërgata jonë dhe shërbejnë përpos zhvillimit të relacioneve përmes aktiviteteve në fushën e kulturës dhe arsimit edhe në forcimin e lidhjeve mes mërgatës dhe shtetit të origjinës.
"Ne, në Turqi kemi një mërgatë relativisht të madhe në numër dhe me këtë po i ofrojmë mundësinë më të madhe për njohjen e kulturës së vendit të origjinës dhe ruajtjes së identitetit."
Gjatë muajve në vijim Ministria e Diasporës do të inicioj marrëveshje të tilla edhe me shtetet e tjera ku jeton dhe vepron mërgata jonë, në funksion të ruajtjes dhe të kultivimit të identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të mërgimtarëve, si dhe forcimit të lidhjeve të tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.
Po ashtu ato duhet të nxisin bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv dhe ekonomik mes Kosovës dhe vendeve të tjera, e të tjera.
Nga ana e saj, Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, u shpreh e gatshme në thellimin e bashkëpunimit mes Republikës së Turqisë dhe Republikës ës Kosovës duke ofruar mbështetjen e plotë në themelimin dhe Qendrave Kulturore të Kosovës në Turqi, ashtu siç pritet që qeveria në Ankara të hapë qendra kulturore në Kosovë.