Kosova e Shqipëria dakordohen për bashkëpunimin në arsim
Prishtinë, 4 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, është takuar sot në Tiranë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, znj. Lndita Nikolla, me të cilën bisedoi lidhur me njësimin e Kurrikulave për arsimin parauniversitar, njohjen e diplomave të arsimit të lartë privat, si dhe për njohjen diplomave të përbashkëta Kosovë - Shqipëri.
Ministri Buja dhe ministrja Nikolla janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e lartëpërmendura.
Do të angazhohemi që synimet tona të përbashkëta të jenë konform standardeve të Bashkimit Evropian, ka thënë ministri Buja, duke shtuar se ekipet e ekspertëve të dy ministrive po vazhdojnë punën për përafrimin e kurrikulave.
Me punën që po bëhet nga të dy ministritë, ne po arrijmë synimin tonë të përbashkët dhe po ngrisim cilësinë në arsim, ka thënë ministri Buja.
Ministri Buja foli edhe për këmbimin e ekspertëve dhe hulumtuesve mes dy shteteve, si dhe dhënien e diplomave të njëjta nga universitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë, që do të jetë një bashkëpunim i ndërsjellë.
Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, tha se rruga e Kosovës dhe Shqipërisë drejt Evropës do të bëhet përmes rrugës së njëjtë, e që është arsimimi.
Kurrikula e Kosovës na ndihmon në përshpejtimin e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt integrimeve, ka thënë ministrija Nikolla.
\"Ndjehem shumë e lumtur që ne po nisim shpejt ndërtimin e kësaj rruge të re në ndërtimin e një kurrikule zyrtare me parametrat evropian, duke e ndarë eksperiencën me Kosovën, tha ministrja Nikolla.
Ministri Buja gjatë ditës së sotme do të takojë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.