Kosova e Maqedonia nënshkruan bashkëpunimin për arsim dhe shkencë
Manastir, 22 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, kanë nënshkruar sot në Manastir Programin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë.
Nënshkrimi i Programit është bërë në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, e cila është nënshkruar në korrik të këtij viti në Vlorë, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, me synim përforcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në këtë fushë.
Programi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë për periudhën 2015-2018 që e nënshkruam sot, është një instrument i rëndësishëm për të plotësuar detyrimet tona për realizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në arsim dhe në shkencë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, të 2 korrikut 2015, tha ministri, Arsim Bajrami.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Programit, ishte prezent edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, z. Musa Xhaferi dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, e cila po ashtu, nënshkruajti të njëjtën marrëveshje me ministrin Ademi.